
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur se Shqipëria ka shkelur të drejtën për jetën private të ish-gjyqtarit Ervin Metalla, duke e shkarkuar atë në mënyrë joproporcionale gjatë procesit të vettingut.
Në vendimin e publikuar më 5 maj 2026, Strasburgu analizoi vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, të cilat kishin larguar Metallën nga detyra për shkak të parregullsive në deklarimin e pasurisë dhe dyshimeve për transaksione fiktive.
Gjykata vlerësoi se, edhe pse disa veprime të gjyqtarit mund të ngrinin pikëpyetje etike, ato nuk arrinin nivelin e nevojshëm për të justifikuar masën më të rëndë disiplinore, siç është shkarkimi përfundimtar nga sistemi i drejtësisë. Sipas vendimit, autoritetet shqiptare nuk kryen një analizë të plotë dhe proporcionale të rastit, duke mos balancuar siç duhet interesin publik me të drejtat individuale të aplikantit.
Një tjetër element kyç ishte kërkesa që Metalla të provonte burimin e të ardhurave të vëllait të tij, çka sipas Gjykatës përbënte një barrë disproporcionale dhe jo të justifikuar në rrethanat konkrete.
Strasburgu konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i dha të drejtë Metallës për kompensim financiar: 20,400 euro për dëme materiale, 6,000 euro për dëme jomateriale dhe 6,000 euro për shpenzime gjyqësore.
Gjykata sugjeroi gjithashtu që çështja të rihapet nga autoritetet shqiptare, në përputhje me standardet e saj, nëse kërkohet nga aplikanti. (A2 Televizion)