Urbanisti Gent Kaprata ka bërë thirrje për një qasje të re në planifikimin urban në Shqipëri, duke theksuar nevojën për qytete të ndërtuara mbi konceptin e lagjeve kompakte dhe këmbësore, ku prioritet të kenë njerëzit dhe jo automjetet.
Ai solli si shembuj praktikat e ndjekura në qytete të Europës Perëndimore si Barcelona, ku trafiku i makinave kufizohet dhe hapësirat publike rikthehen për komunitetin, veçanërisht për fëmijët.
Urbanisti vuri në dukje gjatë diskutimeve në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN se mbështet idenë e ekspertëve të tjerë që fëmijët duhet të luajnë në rrugë.
“Nëse më pyesni mua si urbanist unë këtë përgjigje kam, duhet të ndërtojmë lagje, sikurse unë ua mësoj studentëve të mi, të ndërtojmë qytete me bazë lagjen, lagje kompakte, këmbësore. S’kam fjalën që të prishim këto lagje dhe të ndërtojmë të reja. Kemi autorë që e konsiderojnë jetën në rrugë, fëmijët duhet të luajnë në rrugë. Unë kam luajtur në rrugë. Makina s’ka punë atje, ose duhet të eci ngadalë me 20-30 kilometra/orë", tha urbanisti.
"Çfarë po bën Barcelona sot? Të gjithë e kemi parë që është e ndërtuar me blloqe në formë molle. Po i merr blloqet po i bën nënblloqet bashkë dhe po bën një superbllok. Makina ecën vetëm jashtë dhe s’hyn më te rrugët paralele. Kështu është Belgjika, çdo qytet tjetër. S’duhet ta bëjmë mbret makinën! Fëmijët duhet të dalin dhe makina ka për detyrë të uli shpejtësinë. Duhet të ulemi dhe ta nisim njëherë jo nga policia. Po të kishim një qeveri normale ata do ishin të gjithë të shkarkuar”, u shpreh Gent Kaprata. (A2 Televizion)