“Mbi 150 persona nga e gjithë Europa”, gazetari Dëfrim Methasani flet për festën me fisin

Nga A2 CNN
5 Maj 2026, 09:20 | Aktualitet

Një nismë e veçantë familjare është kthyer në shembull frymëzues për komunitetin, pasi gazetari sportiv Dëfrim Metasani organizoi një takim të madh familjar në fshatin Shodoll të Dibrës, duke bërë bashkë mbi 150 anëtarë të fisit të tij. Në studion e Dita Jonë ai ndau detaje nga ky takim dhe theksoi se ideja lindi nga dëshira për të ruajtur lidhjet familjare dhe për të mos humbur kontaktin mes brezave.

“Kemi qenë mbi 150 vetë të cilët erdhën nga shumë vende të Europës edhe të gjithë u bënë bashkë dhe unë dua t'i falënderoj, sepse asnjëherë nuk ndihesh mirë vetëm. Ndihesh mirë kur je me të tjerët. Të njohim gjakun. Kjo është shumë e rëndësishme, vendin nga vijmë, gjakun. Të njohim njëri-tjetrin m sepse vajza ime nuk njeh vajzë djalin e kushëririt tim”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Takimi, sipas Metasanit, i cili tashmë synohet të kthehet në traditë vjetore, u zhvillua në fillim të majit, në kuadër të festimeve të Shën Gjergjit.

“Ideja lindi në një takim që patëm me disa të rinj. Pse mos bëhemi njëherë në vit bashkë, meqë gjithmonë fillimi i majit përkon me një festë që ne e bëjmë atje, festë e Shën Gjergjit. E organizova bashkë me kushërinjtë dhe me njerëzit e mi vendosëm dhe çadrat këtë vit. Bëmë një gjë ndryshe sepse natyrisht edhe dielli bën punën e tij, por është një vend i gjelbëruar është një fushë sporti që një kushëriri jonë e ka bërë para disa vitesh, i ndjeri Safet Metasanin që nuk jeton, por që ja la pas një gjë shumë të bukur kemi një pronë e gjithë fisit në kuptimin e mirë të fjalës sepse ne takohemi aty organizohemi dhe bëjmë gjëra të tilla”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Në aktivitet morën pjesë familjarë nga Shqipëria dhe diaspora, ndërsa moshat varionin nga 1 deri në 91 vjeç. Një nga momentet më të veçanta ishte prezantimi i trungut familjar nga më i moshuari i fisit, duke rikujtuar historinë dhe lidhjet mes anëtarëve.

Ai tha se eventi u shoqërua edhe me muzikë dhe aktivitete festive, ku kontribuoi edhe Vera Laçi. Metasani theksoi se organizimi u realizua falë bashkëpunimit të të gjithë familjarëve dhe mbështetjes së komunitetit.

Gazetari bëri thirrje që familjet shqiptare të gjejnë kohë për t’u bashkuar të paktën një herë në vit, duke e konsideruar këtë si një mënyrë për të forcuar unitetin dhe për të ruajtur traditat.

“Mesazhi im ishte ky, të mos harrojmë vendin ku kemi lindur. Të mos harrojmë të parët tanë, atë vend që natyrisht bekoi të parët tanë, më bekoi mua edhe shumë të tjerë dhe them që jemi me fat që jemi nga vend. Është një vend shumë pjellor, shumë prodhues. Shodolli i Dibrës quhet fshati”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos