Duke diskutuar për tragjedinë e ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, si dhe për situatën e aksidenteve rrugore në vend, ish-ministri i Brendshëm Bajram Yzeiraj theksoi se politika po transmeton një mesazh të gabuar te policia, atë të rrugaçërisë, forcës dhe mospërfilljes ndaj ligjit.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Yzeiraj tha se nuk është e lehtë për t’i bërë uniformat blu që të jenë të ndershëm dhe në mbrojtje të ligjit.
“Shumë punonjës të policisë janë inaktivë, janë pasivë, shkojnë në punë, por me heshtjen e tyre s’i shërbejnë…23 viktima për tre javë është bilanc i rëndë. Ne akoma e kemi numrin e viktimave nga aksidentet e qarkullimit rrugor më të lartë nga vendet e BE. Nëse ata e kanë 50-60 për 1 milion, ne e kemi 60-90. Direkt, indirekt, politika jep mesazhin e forcës, të rrugaçit, të arrogantit, të mospërfillësit të ligjit. Nëse themi pse është kaq indiferente policia, të gjitha këta shikojnë si vjen fryma, mesazhi nga niveli qëndror deri në nivelin vendor, sa stabiltet dhe të sigurt janë në punën e tyre”, tha ish-ministri.
“Ndodh shpesh që kur janë tepër aktivë punonjësit e ligjit edhe ndëshkohen, ulen në detyrë, transferohen, për t’u plotësuar dëshirat funksionarëve, politikanëve të ndryshëm. Ka vuajtur policia nga këto sëmundje, dhe s’është aq kollaj për ta kurdisur, për ta bërë aktive, që të gjithë ata të jenë aktivë në mbrojtje të ligjit, të jenë të ndershëm, s’është aq e lehtë”, shtoi Yzeiraj.
(A2 Televizion)