“Vaksina ka ndikuar në ndarjen e çifteve”, avokati: Kolegë të mi i nxisin për divorc

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2025, 09:15 | Aktualitet

Një në 4 martesa në vendin tonë përfundon në divorc, duke e rritur në 25%. Në studion e Dita Jonë në A2 CNN avokati Alban Duraj teksa renditi një sërë shkaqesh që çojnë në zgjidhjen e martesës, nga mosjetesa te tradhtia, theksoi se një ndikim të madh ka pasur edhe pandemia dhe vaksina.

“Grindja dhe mosjetesa e përbashkët, shkelja e besnikërisë bashkëshortore, mos përmbushja e detyrimeve të martesës, sa i përket kontributit financiar dhe marrëdhënia mes bashkëshortëve dhe detyrimet ndaj fëmijëve. Çiftet nuk duan të shkojnë me kërkesë padi në gjykatë për shkelje të besnikërisë bashkëshortore, por mundohen ta lënë vetëm te grindja dhe mosmarrëveshja e përbashkët. Me këto objekte shkojnë për zgjidhjen e martesës. Ka edhe raste kur bashkëshortët arrijnë mirëkuptimin  kur martesa e ka humbur qëllimin, nuk funksionon, dhe shkojnë tek avokati. ky është numër i vogël”, tha Duraj në Dita Jonë në A2 CNN.

Avokati Duraj nënvizoi se nga deklarimet e klientëve ka kuptuar që pas pandemisë dhe vaksinave partnerët kanë ndryshuar sjellje.

“Pas pandemisë Covid 19 që u izoluam dhe duke parë rastet që unë trajtoj duke u dhënë kohë për të rikuperuar marrëdhënien e tyre. Kam patur raste 10% që e kanë rikuperuar. Mendoj se pandemia nuk e them me kompetencë, por virusi edhe vaksina kanë sjellë ndryshimin e sjelljeve të bashkëshortëve dhe i ka bërë ata të ndjeshëm. Unë i kam pyetur dhe më kanë thënë që ndryshimet kanë ardhur pas pandemisë”, u shpreh avokati Duraj në Dita Jonë në A2 CNN.

Sipas tij kjo do të sjellë pasoja për fëmijën dhe shoqërinë.

“Ne nuk kemi studim nga shërbimet sociale, apo institucionet që kanë për detyrë marrjen e masave për forcimin e familjes. Nuk e kanë parë me prioritet dhe do të ndikojë te pasojat që sjell për shoqërinë. Rritja dhe formimi i fëmijës ndikon shumë”, tha avokati në Dita Jonë në A2 CNN.

Me keqardhje avokati tregoi se ka edhe profesionistë e kolegë të tij që ndikojnë duke nxitur çiftet në divorc.

“Është për të ardhur keq që ne kemi edhe profesionistë nuk dua të fus të gjithë kolegët e mi, është e vërtetë që kur shkon një palë për të bërë divorcin e shtyn më keq. I thotë ta bëri kështu. hajde bëj kallëzim në prokurori, duke e çuar çiftin drejt ndasive të mëdha. Humbja e komunikimit, mos lënia e fëmijës për takim kjo ndodh shpesh te nënat dhe kanë mbështetje e punonjësve sociale. Kam raste kur bashkëshortja nuk e lejonte dhe i thoshte babait duhet ta shohësh vetëm një orë në muaj”.

   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos