“Dëmet në mjedis s'ndëshkohen”, ekspertët: Djegia e pyjeve përtej individit, krim i organizuar

Nga Marjo Brakaj
25 Nëntor 2025, 15:08 | Aktualitet

Krimet mjedisore mbeten pa autor. Ky është përfundimi i dalë nga raporti i përgatitur nga ekspertë të mjedisit, gazetarë dhe njohës së ligjit, të cilët ngrenë alarmin se boshllëqet ligjore dhe mungesa e zbatimit të ligjit po dëmtojnë çdo ditë natyrën.

“90% e dëmeve në mjedis procedohen si kundravajtje administrative. Viti 2025 solli edhe një risi tjetër, ku krimi mjedisor ka dhënë shenja të një krimi të organizuar. Për rrjedhojë krimet si djegia e sipërfaqeve pyjore apo kullosore janë dëme që shkojnë përtej veprave individuale”, tha Mihallaq Qirjo, ekspert për mjedisin.

Krimet mjedisore shpesh herë arkivohen në sirtarët e prokurorisë, pasi sipas ekspertëve hetimet janë të vonuara.

“70% e procedimeve penale nuk fillojnë fare ato pushohen gjatë procesit për mungesë të provave ose të mosarritjes në kohë për të proceduar një dëm mjedisor”, tha Mihallaq Qirjo, ekspert për mjedisin.

Me të njëjtën optikë e shohin edhe zyrtarët e BE në Tiranë situatën e krimeve mjedisore, duke theksuar faktin se sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk e ka prioritet hetimit dhe gjykimin e krimit mjedisor.

“Ne të gjithë e dimë që krimi mjedisor nuk është një çështje e izoluar. Në këtë raport theksohet se si mund të bashkëveprojë me organizatat kriminale. Ky është një nga elementët që i bën këto raporte vërtet aktuale dhe të rëndësishme për të na ndihmuar gjithashtu të identifikojmë mjetet për të gjetur dobësitë dhe për të propozuar zgjidhje. Krimi mjedisor, ende nuk është një përparësi kryesore në sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri”, tha Francesca Varlese, përfaqësuese e BE në Shqipëri.

Ekspertët që kanë hartuar raportin nxjerrin në pah faktin se baza materiale për të hetuar krimet mjedisore është e vakët, duke ndikuar në shumë raste që procedimet penale të pushohen dhe krimi të mbetet pa autor.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos