Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, prej më shumë se 5 orësh është duke qëndruar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ndërkohë, rreth orës 14:00 në SPAK është paraqitur edhe Belind Këlliçi, i cili është një nga përfaqësuesit e opozitës që ka ngritur më shumë akuza ndaj kreut të bashkisë së Tiranës. Megjithatë, është e paqartë nëse Këlliçi është thirrur bë SPAK për të njëjtën çështje. “Pa merak. Unë jam përherë transparent. Do të futem edhe do t’iu njoftoi”, tha Belind Këlliçi në hyrje të SPAK.
Mësohet se Veliaj do të japë deklarime në lidhje me hetimin e regjistruar nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
Kujtojmë se pak ditë më parë, BKH me urdhër të SPAK i sekuestroi celularin gruas së Erion Veliajt, Ajola Xoxës, pas një kontrolli të zhvilluar në banesën e tyre, teksa kryebashkiaku nuk ishte në Shqipëri.
Dy ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi ankimin e bërë nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit që lejoi SPAK-un ta kontrollojë dhe sekuestrojë aparatin telefonik celular.
Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi të njëjtat pretendime të ngritura kundër kontrolleve nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj dhe dy kompani, ambientet e të cilave kaluan në filtrën e agjentëve të BKH, raporton A2 CNN. (A2 Televizion)