Vetingu në polici, konfirmohet në detyrë drejtori i Policisë Shkodër

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2023, 11:20 | Aktualitet

Pas disa muajsh ndërprerje procesi i vetting-ut në Policinë e Shtetit rinisi me drejtuesit e lartë të policisë. Edmond Sulaj, drejtori i policisë së Shkodrës kaloi me sukses të trija kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësisë profesionale.

Sulaj ishte i pari që u përball me gjetjet e Trupës Vlerësuese ndërsa në sitë do kalojnë 36 drejtues të tjerë mes tyre edhe oficerë të Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

Vetingu në Policinë e Shtetit u rikthye për tu bërë nga AMP pas pushimit së ekzistuari të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit që kishte vonesa të shumta.

Po ashtu kjo fazë e vetëpastrimit të policisë së shtetit vjen dhe pasi Ministria e Brendshme u ka kërkuar efektivëve plotësimin e një formulari ku të shprehen nëse kanë përdorur platformat “SkyECC” apo “EncroChat” bashkë me kohën dhe arsyen e përdorimit.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla lajmëroi se për të gjithë ata që kanë përdorur këto programe do të ketë përjashtim të menjëhershëm nga policia, ndërsa pritet që të plotësohet një tjetër formular vetëdeklarimi dhe për dy platforma të tjera komunikimi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos