Bashkia e Pustecit, bashkë me 9 fshatrat e saj, vuan prej kohësh mungesën e mjekëve specialistë. Banorët e kësaj bashkie në të shumtën e rasteve mund të marrin vetëm ndihmën e parë në qendrat shëndetësore. Ndërsa për vizita më të specializuara janë të detyruar të udhëtojnë drejt Korçës. Duke qenë se shumica e banorëve që kërkojnë ndihmë mjekësore janë të moshuar, udhëtimi drejt Korçës, përveçse i lodhshëm, është edhe i kushtueshëm për ta, shkruan A2.
Banorët shprehen se, duke qenë një bashki minoritare, përbërja e së cilës është sa maqedonase aq edhe bullgare, disa mjekë nga Bullgaria, së bashku me një autoambulancë, kanë kryer vizita për banorët e Pustecit me mjekë specialistë në kardiologji, sëmundje të brendshme, okulistikë dhe ORL. Për mjekun bullgar, kjo që bëjnë në Pustec nuk ka lidhje me politikën, por është ndihmë e pakushtëzuar për këta banorë.
Dr. Milen Vrabevski, mjek bullgar, shprehet se grupi i mjekëve bullgarë për dy ditë kanë kryer vizita të shumta në dy qendrat shëndetësore të kësaj bashkie. (A2 Televizion)