Vrasja e 42-vjeçarit në Pogradec, reagon për herë të parë Rama

Nga A2 CNN
14 Gusht 2024, 13:35 | Aktualitet

Vrasja e 42-vjeçarit në Pogradec, reagon për herë të

Pas Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga, në Pogradec.

Në reagimin e tij kreu i qeverisë thekson se akuza e ngritur nga prokuroria nuk ka ansjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës. Sipas tij këta e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral, bazuar edhe në konkluzioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e cila hetoi ngjarjen.

Ai i bën thirrje mediave që të luftojnë dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut.

“Bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumenteve të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore”.

Postimi i plotë i kryeministrit Rama

Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!

“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral. Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është  angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes.

Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumenteve të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore.

Në përditësim... (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos