Që nga fillimi i vitit 2019, kur u miratuan standardet për errësimin e xhamave të automjeteve, e deri në prill të vitit 2024, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 433,291 miratime dhe certifikime për xhama të errësuar.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) certifikimet janë kryer në përputhje me kriteret ligjore dhe teknike, me materiale të homologuara nga prodhuesi, të instaluara nga servise të licencuara dhe të pajisura me dokumentacion që vërteton origjinën, faturimin dhe garancinë.
Errësimi i xhamave nuk është thjesht një zgjedhje estetike, por ofron disa përfitime të drejtpërdrejta për drejtuesit e mjeteve.
Ai siguron mbrojtje nga rrezet ultraviolet dhe infra të kuqe, ndihmon në ruajtjen e freskisë në ditët e nxehta, ofron më shumë privatësi, komoditet dhe siguri gjatë drejtimit, si dhe ndihmon në ruajtjen e gjendjes së makinës duke e mbrojtur nga dëmtimet prej diellit.
Po ashtu, errësimi i rregullt i xhamave përmirëson shikimin duke reduktuar efektin verbues të dritave të tjera. (A2 Televizion)