
Të paktën 30 apartamente rezultojnë të jenë djegur, sipas verifikimeve paraprake, si pasojë e zjarrit që përfshiu dje pallatin 12-katësh, pranë QSUT-së. 30 apartamentet e djegura janë shkrumbuar plotësisht dhe janë jashtë përdorimit. Aktualisht po bëhet monitorimi një nga një i banesave, ku policia po përdor edhe dron.
Gazetari Igli çelmeta raporton se grupi hetimor ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë pranë kompleksit të banimit dhe sipas hetimeve paraprake, zjarri mund të ketë nisur nga kati i parë, nga një biznes në këtë kompleks banimi.
Gjithë fasada e pallatit 12-katësh u përpi nga flakët në më pak se një orë. Re të dëndura tymi mbuluan zonën dhe shkaktuan panik e frikë te banorët e pallatit dhe të godinave ngjitur, që fatmirësisht mundën të evakuohen në kohë. 11 persona mbetën të lënduar, mes të cilëve edhe dy zjarrfikës.
Dy banorë të pallatit kanë pësuar djegie sipërfaqësore, të konsideruara nga mjekët si të lehta, ndërsa të tjerët kanë pasur probleme asfiksie për shkak të tymit, por të gjithë pa asnjë rrezik për jetën. (A2 Televizion)