Diskutimi në parim i projekt-buxhetit për vitin 2025 në seancën e së hënës në parlament u kthye në një debat mes kryeministrit Edi Rama dhe opozitës për trajnimin e pensionistëve. Rama premtoi bonus të fundvitit për rreth 500 mijë pensionistë në shumat 100 deri 150 euro dhe cilësoi këtë si një ‘lajm të mirë’ duke i shtuar premtimeve edhe një bonus në pranverë të vitit që vjen.
Të moshuarit që marrin pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin 15 mijë lekë shtesë për fundvitin. Kush merr më shumë se 20 mijë lekë pension, do të përfitojë edhe 10 mijë lekë të tjera si bonus.
“Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë”, deklaroi Rama.
Me duartrokitjet e socialistëve që mbushën çdo ndalesë në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama shpjegoi nga foltorja e Kuvendit edhe formulën se si “rritja ekonomike do të përkthehet në mirëqenie për të moshuarit”.
“Në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë. Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere”, u shpreh Rama.
Por lajmet e mira që kryeministri njoftoi për moshuarit, nuk bindën aspak kryetarin e grupit parlamentar demokrat. Për Gazment Bardhin qeveria po përdor duke joshur pensionistët vetëm për t’iu marrë votën.
“As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj në buxhetin 2025 nuk parashikon bonus për fundvitin 2025, sepse nuk ka ndërmend t’ia japë. E dha në 2020 për efekt të zgjedhjeve 2021. Po e jep në 2024 për efekt të zgjedhjeve 2025. E ka dhënë edhe në vitin 2016 për efekt të zgjedhjeve të vitit 2017 dhe mendon se me këtë politikë do të gënjejë shtresën më në nevojë, shtresën e pensionistëve”, deklaroi Bardhi.
Për të përforcuar argumentin e tij se paratë që do iu jepen të moshuarve janë për qëllime elektorale, Bardhi kërkoi përgjigje nga qeveria nëse kjo traditë do të vijojë edhe vitin e ardhshëm.
“Sa është fondi i parashikuar në buxhet për vitin e ardhshëm. Pyetja ka të bëjë me atë që do të ndodhë me pensionet në vitin 2025”, theksoi Bardhi.
Duke ju referuar Kryeministrit, një përgjigje jo shteruese e dha ministri i Financave, Petrit Malaj.
“Siç e tha edhe kryeministri, në vartësi të performancës së ekonomisë gjatë viti 2024 do të çelet një llogari pranë Bankës së Shqipërisë, fonde të cilat do të përdoren për bonusin e fundvitit gjatë vitit 2025”, deklaroi ministri Malaj.
Burime nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit konfirmojnë se indeksimi i pensioneve urbane vitin e ardhshëm do të jetë mesatarisht nga 668 lekë deri 706 lekë. Ndërsa për pensionet rurale shtesa përllogaritet nga 402 lekë deri në 425 lekë.
(A2 Televizion)