"5500 vende të lira pune", Gonxhja: Pozicione për të gjitha nivelet arsimore dhe sektorë të ndryshëm

Nga Marjo Brakaj
28 Korrik 2025, 14:29 | Ekonomi

"5500 vende të lira pune", Gonxhja: Pozicione për të

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi sot se në Platformën Kombëtare të Punësimit, puna.gov.al, janë shpallur 5500 vende të lira pune në të gjithë vendin.

Tashmë, çdo punëkërkues plotëson online dosjen respektive dhe çdokush gjen punën më të mirë të mundshme apo kandidatin më të mirë për një vend pune përmes “puna.gov.al”, shkruan A2.

Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale një videoinformacion më të zgjeruar mbi degët dhe sektorët që ofrojnë vende e lira të punës.

“Pozicione për të gjitha nivelet arsimore dhe sektorë të ndryshëm ju presin”, shkroi Gonxhja, teksa ftoi të rinjtë të aplikojnë për t’u punësuar.

Platforma shërben po ashtu dhe për punëdhënësit, të cilët mund të publikojnë vendet e lira të punës për të gjetur punëkërkuesit e duhur.

Platforma ofron informacion mbi vendet e lira të punës në Shqipëri, ku ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.

Aksesi në platformë realizohet duke vendosur të njëjtat kredenciale si në portalin “e-Albania”.

Për 2025-n parashikohet të ketë një normë papunësie njëshifrore, në masën 9,8%. Kjo është hera e parë në tri dekadat e fundit që Shqipëria do të ketë një normë papunësie njëshifrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos