Rikthehet sigurimi ndaj tërmeteve, kush nuk paguan, nuk merr shërbime publike

Nga Marjo Brakaj
25 Korrik 2025, 15:11 | Ekonomi

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet do të ofrohet nga vetë shteti. Përmes projektligjit të hedhur në Konsultim nga Ministria e Financave i hartuar në Bashkëpunim me Bankën Botërore njoftohet se do të ngrihet “Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet”.

Metodologjia e përcaktimit të primit, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Fondit për Tërmetet pas dhënies së pëlqimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Ministria e Financave

Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me  qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre. Ndërsa Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.

“Ky fond është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së qytetarëve nga rreziqet natyrore, duke garantuar një mbulim më të gjerë dhe të qëndrueshëm. Ai synon të krijojë një siguri financiare për familjet në momentet më të vështira, duke ofruar mbështetje të menjëhershme pas fatkeqësive si tërmetet. Por, është po aq e rëndësishme që ky sistem të jetë transparent dhe efikas, dhe të përfshijë ekspertizën e sektorit privat për të maksimizuar përfitimet për qytetarët”, thotë për A2 CNN Mimoza Hajdarmataj, nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.

Ky fond krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku Autoriteti Publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Fondit, është ministria përgjegjëse për Financat. Kompanitë e sigurimit mbeten jashtë. “Ne mendojmë se krijimi i një fondi shtetëror është një hap i rëndësishëm, por një model që i lë të gjitha përgjegjësitë vetëm shtetit, duke përjashtuar kompanitë private të sigurimit, nuk është zgjidhja më e mirë. Industria e sigurimeve ka kapacitete dhe ekspertizë që mund të ofrojnë shërbime më efektive dhe të konkurrojnë për të sjellë produkte më të mira për qytetarët”, thotë Hajdarmataj.

Shqipëria është goditur nga dymbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 6 që nga viti 1900, por duket se vetëm tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës mbart një vlerësim konkret të dëmeve të pësuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos