Qeveria e ndau mendjen më në fund... tregu i shitblerjeve do të zhbllokohet, por çmimet nuk do të bien... siç mund të shpresonin blerësit! Kështu pritet të jetë panorama në tregun e shitblerjes së pronave, nën ndikimin e fushatës së rivlerësimit me 5 për qind.
“Mendojmë se do të kemi një zhbllokim të kërkesave... pavarësisht se kërkesat janë aty por shumëkush ka zgjeruar të mos e shesë pronën e tij në pritje të uljes së tatimit për rivlerësimin”, thotë për A2 CNN Dorentina Krraba, eksperte e pasurive të patundshme.
Në treg do të ketë më shumë lëvizje, më shumë oferta, dhe ndoshta më shumë mundësi për të gjetur pronën e duhur. Por sa për çmimin... mos prisni mrekulli. “Nuk do të ulen çmimet. Pritshmëritë janë që të kemi një frenim të rritjes së çmimeve, por jo ulje të tyre në vijim”, thotë Krraba.
Nga nisma ligjore përfitojnë vetëm pallatet që kanë përfunduar dhe janë të regjistruara në hipotekë. Ndërtimet e reja, për momentin, mbeten jashtë skemës. “Nga nisma ligjore përfitojnë vetëm pallatet e ndërtuara, ato që kanë hipotekë dhe jo pallatet e rinj. Do ketë edhe këtu shtim të shitjeve”, thotë Krraba.
Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar. (A2 Televizion)