8.1 mln lekë për rikonstruksion. Pagat s'u rritën, por gjyqtarët "kushtetues" do punojnë në ambiente të reja

Nga Marjo Brakaj
14 Qershor 2024, 16:17 | Ekonomi

Nuk morën rritjen e pagave, por anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të punojnë në ambiente të reja së afërmi. Nga muret te grilat e dritareve, bashkë me rrjetin elektrik dhe sistemin e kondicionimit godina e Gjykatës Kushtetuese do të rikonstruktohet.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik është depozituar tenderi me vlerë mbi 8.1 milionë lekë apo rreth 80 mijë euro. Kompanitë e interesuara kanë kohë deri më 26 qershor për të depozituar ofertat e tyre, ndërsa punimet planifikohet të zgjasin 2 muaj.

Duke shfrytëzuar edhe periudhën e pushimeve të verës, referuar dokumenteve që shoqërojnë tenderin, puna do të nisë në dy katet e para të godinës ku do të bëhet edhe shtrimi me parket i sallave të mbledhjeve.

Po ashtu, në katin e parë kërkohet të ndërtohen ambiente bashkëkohore, ku Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese apo të ftuar në seancat që zhvillohen të mund të kalojnë kohën.

Kjo pritet të jetë vetëm faza e parë e punimeve në godinën e “Kushtetueses”. Pas kësaj, punimet planifikohen të zhvillohen edhe për ndërrimin e pllakave të tualeteve dhe kabllove të rrjetit elektrik dhe atij të internetit. 

Godina e Gjykatës Kushtetuese është ndërtuar rreth vitit 1960. Objekti është ndërtesë 4 kate me mur tulle, kolona dhe soletë beton arme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos