Emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre 250 milionë euro në tre muajt e parë të vitit. Të dhënat nga Bankës e Shqipërisë tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, remitancat u zgjeruan me 8.8 milion euro apo 3.6 për qind.
“Kemi një inflacion ende prezent në vend gjë që sjell kërkesë mbi ekzistencën dhe varësin a grupeve vulnerabël ndaj remitancave”, thotë për A2 CNN Eris Dhamo, pedagoge dhe sociologe.
Nevojën për më shumë para si pasojë e shtrenjtimit të jetesës e pohojnë edhe vetë qytetarët që presin remitanca. “Tani që janë rritur çmimet jemi të detyruar që t’u kërkojmë fëmijëve më shumë para. Unë kam vëllezërit që më ndihmojnë se përndryshe...”, thonë qytetarët.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, dy qarqet më të varfra të vendit, Kukësi dhe Dibra, janë edhe ato që kanë varësinë më të lartë nga remitancat. Njëkohësisht, në rang vendi, 26 për qind e familjeve shqiptare që marrin para nga jashtë, kanë më pak të ardhura në dispozicion se sa pjesa tjetër.
“Nëse po prapë do t’iu referohemi shifrave të INSTAT, atëherë do të kuptojmë se paratë nga remitancat shkojnë për të plotësuar nevojat bazike dhe jo për argëtim apo luks”, thotë Dhamo.
Me gjithë shifrat e rritura, për shkak të zhvlerësimit të euros familjet shqiptare kanë pasur më pak lekë në duar. (A2 Televizion)