Sipërmarrës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, interes për investime në sektorin minerar

Nga Marjo Brakaj
10 Qershor 2025, 18:04 | Ekonomi

Sipërmarrës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, interes për investime

Sipërmarrës nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shprehur interesin për të investuar në Shqipëri në sektorin minerar, specifikisht në përpunimin e nikelit, duke e konsideruar vendin tonë si një destinacion mjaft tërheqës për investitorët e huaj.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) mirëpriti në një takim përfaqësues të Ministrisë së Investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kompanisë ADQ, një investitor lider në infrastrukturën globale kritike dhe zinxhirin e furnizimit.

Takimi kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zgjerimin e investimeve në vendin tonë, shkruan A2.

Që nga themelimi i saj në vitin 2018, ADQ është shfaqur si një investitor sovran aktiv, duke ndërtuar dhe zgjeruar platforma biznesi të përqendruara në infrastrukturën kritike dhe zinxhirët globalë të furnizimit.

Si një partner i Qeverisë së Abu Dhabit, ADQ krijon të ardhura të qëndrueshme financiare për Emiratet, ndërkohë që ofron edhe një ndikim pozitiv.

Gjatë këtij takimi, Ryan Freeman, bëri një prezantim të kompanisë e cila nisi si një kompani holding, duke kaluar nga niveli strategjik në nivel tregtar me më shumë se 130 asete në portofolin e projekteve.

“Subjekti shprehu interesin për të investuar në Shqipëri në sektorin minerar, specifikisht në përpunimin e nikelit, duke e konsideruar vendin tonë si një destinacion mjaft tërheqës për investitorët e huaj”, njofton AIDA.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos