Ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj ashpër deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së këtij të fundit në Dibër, duke e akuzuar për fyerje kolektive ndaj burrave të kësaj zone dhe për dështime të rënda në menaxhimin e projekteve madhore.
Gjatë prezantimit të kandidatëve në këtë qark, Berisha tha se Rama foli “me gjuhën e pushtuesit dhe të kopukut”, duke fyer dinjitetin e dibranëve. “Burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon”, theksoi ai, duke kujtuar rolin patriotik të kësaj treve në historinë kombëtare.
“Këtu tani do i them Edi Ramës këto fjalë: Në Dibër, në këtë sallë ti erdhe me gjuhën e pushtuesit dhe gjuhë e kopukut. Të dyja. Në qoftë se mbrëmë në Kamzë unë të dhashë një përgjigje duke lexuar përroin tënd psikik frojdian, sot unë kam një përgjigje tjetër. Ti erdhe si pushtues sepse i lejove vetes të ndërmarrësh një fyerje kolektive. Njëlloj si dikur paraardhësit e tu, që këta burra viganë, atdhetarë, patriotë, i shpallnin armiq se qëndronin për atdhe, qëndronin për besimin tek Zoti, për Dibrën dhe Shqipërinë. Ti erdhe, ti fole dje si kopuk, sigurisht që me ato ministreshat e tua që xhinglaminglohen në atë mënyrë. Tani të them unë dy, asnjë fjalë nuk të jap përgjigje sepse përgjigjen më të shkëlqyer ta dha dibrania në sallë, e cila u ngrit dhe të tha se burrat tanë janë të mrekullueshëm. Por do ta them këtë këtu, burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon”.
Berisha përmendi projekte të papërfunduara si rruga e Lurës, duke akuzuar Ramën se i ka lënë pas dore qëllimisht. Ai solli në vëmendje edhe çështje të tjera të bujshme si inceneratori i Tiranës, blerja e “kopshtit të Edenit”, dhe shpenzimet e larta për udhëtime dhe bileta sporti.
“Dy ditë më parë erdhi këtu edhe ai burreci 2 metra i gjatë. Ai nuk u tha një fjalë se pse Rruga e Kombit zgjati 12 vite në një kohë kur kishte çdo fond dhe projekt për të mbaruar në vitin 2016. Dhe një gjë do t’i them asaj zonjës së nderuar që i tha se shkojmë në Tiranë, të garantoj dhe të jap fjalën e nderit se po të qe për Edi Ramën, ajo rrugë kurrë nuk do ndërtohej. Ja ku e keni rrugën e Lurës, Lura është bukuri përrallore dhe ka 12 vjet nuk e ndërton dot rrugën. Por atë rrugë e meritoni plotësisht. Ajo është rruga e dytë e kombit dhe kemi krenari të madhe që ndërtuam 32 kilometrat e para dhe u garantoj se në vitin 2016 do ishte inauguruar me parametra shumë më të mirë se kjo sot. Edi Rama nuk u tha ju se ku shkuan 130 milionë euro për djegësin e Tiranës që nuk ekziston asnjë tullë dhe paratë tuaja janë dhënë. Nuk u tha një fjalë se me ç’ para e bleu kopshtin e Edenit 5 milionë euro në kopshtin e kryeministrisë që nuk ka kryeministër në botë që të bëjë një shpenzim të tillë. Nuk u tha një fjalë, si mundet një kryeministër të ulet në një ndeshje sporti me 28 mijë euro biletën? Nuk u tha një fjalë, si mundet një kryeministër, në një kohë që fshatarët e tij përdorin parmendën, të shpenzojë 21 milionë euro me avion në dispozicion?” (A2 Televizion)