Bonusi i pranverës do të merret në dimër, qeveria miraton edhe “paketën e maleve” për diasporën

Nga Marinela Lina
9 Janar 2025, 15:42 | Ekonomi

Nga 5 mijë lekë deri në 10 mijë lekë. Bonusi i pranverës me këtë vlerë u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja bëri të ditur kategoritë përfituese sipas vlerës që do shpërndahet. Sipas tij ky vendim është mundësuar nga rritja ekonomike.

“Miratuam për 730 mijë pensionistë të Shqipërisë. Do të shpërndahet në masën 10 mije lekë dhe do të marrin ata që marrin më pak se 20 mijë lekë pension në muaj, rreth 520 443 pensionistë. Bonusi 5 mijë lekë ata që kanë pension më shumë se 20 mijë lekë në muaj, rreth 209 987 pensionistë”, tha Gonxhe.

Bonusi do të shpërndahet për pensionistët duke filluar nga muaji shkurt. Qeveria miratoi edhe paketën e maleve, nismë me të cilën synohet të tërheqë investime nga emigrantët. 

“Një projektligj i cili nxit dhe sjellë një qasje alternative për të rritur mundësitë dhe ndihmuar ekonominë malore e cila ka ngelur prapa të mund ta nxisim zhvillojmë dhe të kenë përparësi”, u shpreh ministri Gonxhe.

Por bashkitë kanë rol të rëndësishëm në këtë proces nëse duan që zona e tyre të zhvillohet sipas kësaj pakete.

“Krijon mekanizma që bashkitë të propozojnë zona të cilat marrin statusin e zonave të posaçme për zhvillimin malor dhe këto zona përfitojnë nëpërmjet ligjit seri përparësish zhvillimore, lehtësirat fiskale por dhe zgjidhin problemet me pronësinë”, theksoi ministri për pushtetin vendor Arbjan Mazniku.

Paketa e maleve e prezantua nga qeveria në tetor 2024 përfshin investimet nga diaspora e deri tek kreditë për bizneset, peshën kryesore të së cilës do ta mbajë shteti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos