Nga ndërtimi i i “Bibliotekës Kombëtare” tek rijetësimi i stadiumit “Selman Stërmasi” bashkë me ngritjen e “Expo Business Albania” në ish-zonën ushtarake të Farkës apo zhvillimin e “Void” apo “Lift Tower”.... pronat publike do i jepen për zhvillim privatit në këmbim të zyrave, ku bashkëpronar do të jetë edhe shteti.
“Besoj që të gjithë i keni parasysh ende sot e gjithë ditën skelete fabrikash, apo ndërmarrjesh të vjetra që vijojnë të cenojnë peizazhin tonë dhe janë shëmbëlltyra të proceseve të shkuara të privatizimeve, të cilat në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë sjellë asnjë rezultat tjetër përveç degradimit të mëtejshëm të këtyre aseteve”, tha Rama.
Në territorin e ish-Gardës së Republikës te Parku i Liqenit, po me formulën ku shteti bëhet bashkë-aksionar e privati zhvillon zonën do të ndërtohet Biblioteka Kombëtare, shkruan A2 CNN.
“Biblioteka Kombëtare do të integrojë brenda saj edhe një pjesë të Bibliotekës së Tiranës. Nuk është vetëm një vend ku depozitohen libra, por do të shërbejë edhe si hapësirë për lexim. Është 20 mijë m2”, u shpreh Adelina Greca, drejtore e Agjencisë Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Me standardin “UEFA kategoria 4” dhe kapacitet 14 deri në 16 mijë vende, stadiumi “Selman Stermasi” do të shembet për t’u rindërtuar dhe zhvilluar edhe zonën përreth tij. Faza e parë për të marrë pjesë në këtë projekt është e hapur deri më 24 janar.
“Më vjen mirë që jemi këtu për t’i dhënë një drejtim të ardhmes së Selmanit pa e lënë më atë që të jetë “bir Selman i nënës” i kopjeve të shëmtuara të strukturave si ato që përmenda të paktën për pjesën e projekteve që e kemi pas trashëguar nga koha e monizmit në Shqipëri”, tha Blendi Gonxhja, ministër i MEKI.
Nga programi “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona tregoi edhe mbi përfitimet që shteti do të ketë nga ndërtimi i Void” apo “Lift Tower”.
“Janë 25 institucione publike që do të akomodojnë 13 mijë punonjës në ambiente që përmbushin të gjitha standardet e Bashkimt Eruopian”, u shpreh Elira Kokona, drejtoreshë, Korporata Shqiptare e Investimeve.
Ndërkohë, në një sipërfaqe prej 6 hektarësh, në ish-zonën ushtarake të Farkës në Tiranë, vendi do të ketë një qendër panairesh. “Expo Business Albania” do të jetë një hapësirë e dedikuar për evenimente, panaire, koncerte dhe takime, njëherazi edhe si strukture akomoduese pasi parashikohet të ndërtohen edhe hotele me 3 apo 4 yje. (A2 Televizion)