“Vendim historik që merret për herë të parë në 35 vite”. Kështu e cilësoi vendimin për uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentë abonentët familjarë kryeministri Edi Rama.
“Është një fakt i cili na mbush me krenari, po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë. Nga ana tjetër, po të marrim parasysh se çmimi i energjisë në kohët e sotme është në kundër tendencë të plotë me rajonin dhe kontinentin ku jetojmë, ku çmimet e energjisë janë rritur”, deklaroi Rama, shkruan A2.
Çmimi i energjisë elektrike kishte mbetur i pandryshuar në 9,5 lekë pa TVSh apo 11,4 lekë me TVSh që nga viti 2015. Më herët, energjia elektrike ka qenë e tarifuar me dy fasha me çmime që varionin nga 4,5 e deri në 13,5 lekë për kilovat/orë. Pikëpyetjeve nëse ky është një vendim për qëllime elektorale për zgjedhjet e 11 majit, Rama iu përgjigj në këtë mënyrë.
“Nuk kam detyrim që t’i mbush mendjen dikujt që e ka të mbushur mbrapsht, e di shumë mirë që jetojmë në demokraci dhe të gjithë kanë lirinë të thonë çfarë të duan për çdo gjë që kam bërë bëj dhe do të bëj do thonë, mbi 1 milionë konsumatorë do paguajnë një çmim të ulur të saj”, u shpreh kryeministri.
Më ezauruese në argumente për uljen e çmimit të energjisë elektrike ishte zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku: “Kjo vjen për shkak të performancës së sektorit. Ja kemi dalë pasi kemi përmbushur një nga kushtet teknike më të rëndësishme, që është ulja e nivelit të humbjeve duke e çuar në 17,93% krahasuar me 46% që ka qenë në vitin 2012. Të gjitha proceset e investimeve që kemi sot do na sjellin në një humbje të mëtejshme. 1% ulje korrenspondon me 7 milionë Euro kursim në vit për OSHEE.”
Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se nga 20,62% në 2021, niveli i humbjeve në rrjet vitin e sapo lënë pas u tkurr në 17,93%. Nga ana tjetër, arkëtimet janë zgjeruar ndjeshëm në 4 vitet e fundit. (A2 Televizion)