BSH prezanton IPSA, pagesat bankare, transfertat kryhen brenda pak sekondash

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2026, 14:43 | Ekonomi

Pagesat bankare në Shqipëri do të mund të kryhen brenda pak sekondash, në çdo orë të ditës dhe gjatë gjithë javës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë prezantoi sistemin e ri të pagesave të menjëhershme IPSA, i cili synon të lehtësojë transfertat bankare, të ulë kostot dhe të nxisë përdorimin e pagesave elektronike.

“Pagesat e menjëhershme në euro dhe në lekë do të kryhen brenda vendit, shtatë ditë të javës, 24 orë në ditë, ditën dhe natën. Me implementimin e këtij sistemi të pagesave të menjëhershme, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kursejnë mbi 400 milionë euro, siç është parashikuar nga një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore”, tha Sejko, përcjell A2 CNN.

“Me implementimin e këtij sistemi, Shqipëria përfshihet në sistemet moderne të pagesave të Bashkimit Europian, siç është sistemi SEPA, si dhe në sistemin e ri të pagesave të menjëhershme, të cilin po e prezantojmë sot.

Unë dua të falënderoj Bankën e Italisë, e cila na ka ndihmuar në implementimin e këtij sistemi, Bankën Botërore, që na ka siguruar asistencë teknike, por edhe stafin e Bankës së Shqipërisë, që ka punuar me përkushtim deri në prezantimin e sotëm të sistemit të pagesave të menjëhershme.

Dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se, me implementimin e këtij sistemi të pagesave të menjëhershme, ne jemi në përputhshmëri të plotë me sistemet moderne të pagesave që aplikon sot Bashkimi Europian”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos