Prej gati një viti dy vëllezërit Hoxha ishin nën masën arrest shtëpie me akuzën për prodhim dhe shitje të narkotikëve, por kjo nuk i ka ndaluar të vazhdonin aktivitetin.
Emri i tyre doli pas sekuestrimit të gjysmë kilogrami kokainë dhe 150 gramë kanabisi në Gramsh. Lënda narkotike iu gjet në banesë, ku policia ushtroi kontrolle pas informacione në terren se grupi o tyre vazhdonte shpërndarjen.
Në deklaratë thuhet se u arrestuan në flagrancë T.Hoxha, 33 vjeç dhe R.Hoxha, 39 vjeç për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Me këto vepra prokuroria pritet të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë, nga ajo në shtëpi në arrest me burg.
Gjithashtu u ndalua edhe një 46 vjeçar dhe u shpall në kërkim një 31 vjeçar si pjesë e grupit që shpërndanin lëndë narkotike. Grupi vepronte në qytetin e Gramshit në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së kokainës.
Dyshimet e para u lidhën me përfshirjen e efektivëve të Policisë së Gramshit dhe Elbasanit në këtë rrjet prandaj edhe AMP u përfshi në operacion. Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit nga vëzhgimet në terren, përgjimet dhe kontrollet e kryera nuk u evidentua përfshirja e asnjë efektivi të policisë. (A2 Televizion)