Buxheti për bashkitë, Instituti: I fragmentarizuar, të rritet deri në 10% për bashki, vëmendje te bujqësia

Nga Marinela Lina
12 Nëntor 2024, 14:47 | Ekonomi

89.9 miliardë lekë në drejtim të pushtetit vendor për vitin 2025, ose 13.2% më shumë se viti aktual, është një lajm i mirë për bashkitë por ende i pamjaftueshëm përballë nevojave që ato kanë.

Instituti për bashkitë i është drejtuar komisioneve parlamentare të Kuvendit me një kërkesë për rishqyrtimin e buxhetit të bashkive dhe rritjen deri në 10% më shumë.

“Sot, 61 bashkitë dhe njësitë administrative përkatëse kanë më shumë se kurrë përgjegjësi. Buxheti i bashkive duhet të jetë organik/zhvillimore dhe jo i fragmentarizuar. Pjesa e përgjithshme dhe ajo sektoriale duhet të bashkohen. Kjo shmang çdo perceptim diskriminues dhe rrit shumë përgjegjshmërinë e bashkive për prioritete. Buxheti total i bashkive dhe qarqeve të rritet me deri ne 5-10% me shumë se sa është në draft”, thuhet në Institutin e Bashkive.

61 bashkitë dhe njësitë administrative ushtrojnë rreth 42 funksione dhe llojshmëri shërbimesh administrative dhe publike. Por rritja prej 8.2% për bashkitë dhe 3% për qarqet sipas Institutit të Bashkive mund të krijojë pabarazi në mbështetje për njësitë vendore, duke krijuar diferenca në ofrimin e shërbimeve publike. Ndërsa shihet e rëndësishme përqendrimi i vëmendjes në sektorin bujqësor.

“Buxheti i planifikuar për performancën rreth 200 milionë lekë duhet të shkojë për bujqësinë pasi ky sektor jo vetëm ka nevoja por dhe ndikon në ekonomi bujqësore dhe vende pune me shume se sa vlera e efektit konkurruese”.

Problem, sipas Institutit të Bashkive, është dhe rritja e fondit të pagave për punonjësit e bashkive.

“Përfshirja e një fondi shtesë për paga dhe shpenzime operative rrit barrën buxhetore për njësitë vendore dhe mund të ulë mundësinë për investime kapitale në projekte të reja, por do thellojë perceptimin publike nga shtresat në nevojë dhe me nivele të ulta të të ardhurave, se parat po i marrin zyrtarët”.

Bashkitë kërkojnë plane veprimi konkrete në përballimin e krizave mjedisore, emergjencat civile dhe përshtatshmërinë ndaj ndryshimet klimatike. Ndërsa e shohin shqetësuese varësinë nga pushteti qendrorë në rast pasigurish ekonomike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos