Censi 2023, i publikuar vetëm pak ditë më parë nga Instituti i Statistikave evidentoi një tkurrje dhe plakje të popullsisë, çka është me pasoja për tregun e punës dhe ekonominë, në afatshkurtër dhe afatgjatë.
Por çfarë tregojnë shifrat?
Popullsia e Shqipërisë ka arritur aktualisht në 2.4 milionë banorë, duke pësuar një rënie prej rreth 420 mijë banorë kundrejt censit 2011. Një tendencë që ka vijuar gjatë dekadave të fundit, nëse shohim censin e vitit 1989.
Por si është e shpërndarë popullsia në territor, për të kuptuar edhe dinamikën e lëvizjeve të brendshme?
Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare, ose rreth 32% banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10%, ndjekur nga Elbasani dhe Durrësi. Ndërsa qarqet më pak të populluar janë Gjirokastra dhe Kukësi, me më pak se 3%.
Çfarë do të thotë një përqendrim i tillë i popullsisë për ekonominë?
Qartazi duket se në territor është krijuar trekëndëshi Tiranë, Durrës, Fier. Në këtë trekëndësh ndodhet pjesa më e madhe e popullsisë dhe rrjedhimisht edhe e bizneseve. Ky trekëndësh me këto tre qarqe është kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike dhe rrjedhimisht, edhe përfituesi kryesor i saj. Kjo do të thotë se vendet e punës janë përqendruar këtu, së bashku me investimet publike dhe private dhe rrjedhimisht, edhe zhvillimi. Pjesa tjetër e qarqeve dhe e territorit është e përjashtuar nga rritja ekonomike dhe mundësitë për zhvillim.
Por tkurrja dhe përqendrimi i popullsisë në pak qarqe nuk janë shqetësimet e vetme që censi ka nxjerrë në pah. Plakja është një tjetër problem.
Të dhënat tregojnë se raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24% në censin 2023 nga 30,4 % në Censin e mëparshëm dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30.4 % nga 16,7 për qind në Censin 2011. Kjo do të thotë se sot kemi shumë të më pak të rinj dhe më moshuar.
Por cilat janë pasojat e kësaj situate në ekonomi?
Tkurrja e popullsisë ka shkaktuar mungesa në tregun e punës, çka ka rritur kostot për biznesin dhe ka ulur produktivitetin e ekonomisë dhe të ardhurat në buxhet. Ndërsa plakja e popullsisë e ka bërë të domosdoshme rritjen e fondeve për skemën e pensioneve. (A2 Televizion)