Nuk rreshtin problemet me pronat, 3 motra nga Elbasani protestë përpara Kryeministrisë

Nga Armend Pire
17 Tetor 2025, 23:41 | Sociale

Këto janë motrat Paja nga Elbasani. Prej disa muajsh kërkojnë që t’u njihet çertifikata e pronësisë për tokën e trashëguar nga prindërit.

Në një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh në Belsh, ato janë bashkëpronare të tokës dhe dy shtëpive, por që në certifikatën e pronësisë ka vetëm një emër, Kristaq Paja, vëllai i madh i familjes, shkruan A2.

Motrat thonë se nuk kanë konflikte me të vëllain, por mosnjohja e pronës po u shkaktohet nga institucionet: “Kemi marrë certifikatat pas shumë kohësh se nuk donin të na e jepnin nga hipoteka e Elbasanit. Kur i morëm u nisa për Gjermani. Në aeroport më nisin një sms, certifikatat janë të pavlefshme. Kam shkuar pranë ASHK në Tiranë për verifikim dhe më kanë thënë janë dy shtëpitë kanë kaluar në një pronar”. 

Të gjendura pa asnjë zgjidhje nga institucionet, motrat Paja protestojnë prej ditësh pranë Kryeministrisë për korrigjimin e çertifikatave të pronësisë sipas specifikës së çdo bashkëpronari: “Ne kemi bërë një kërkesë në ASHK Tiranë, korrigjim transparencë çertifikate pronësie. Në faqen e parë të shkruhet 1/7 dhe në faqen e dytë të shkruhen emrat e bashkëpronarëve. Përgjigja, ka kaluar 1 muaj, më kanë thënë nuk e gjejmë, ka humbur dosja”. 

Motrat Paja akuzojnë hipotekën e Elbasanit se nuk ka bërë ndarjen e duhur të çertifikatave të pronësisë së tokës dhe shtëpive, teksa në çertifikatën e lëshuar është shënuar shkronja f. me nënkuptimin familje bujqësore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos