Dëmtohen mbi 50 mijë fermerë, nafta me akcizë edhe për bujqësinë, njësoj si për makinat

Nga Armend Pire
31 Mars 2026, 15:08 | Ekonomi

Ekspertët thonë se për hartimin e skemës së naftës pa akcizë u shpenzuan 500 mijë euro, dhe se ishte një nga skemat që ulte kostot e prodhimit. Në këto kushte, fermerët pritet të humbin interesin për të punuar tokën.

“I bëjmë thirrje qeverisë të uli çmimin e naftës, siç e marrin peshkatarët, që të ulim koston e prodhimit”, apelojnë fermerët e luleshtrydhes.

Pa mbushur 24 orë nga kjo deklaratë dhe thirrje e fermerëve, qeveria nxori nëpërmjet një VKM-je, skemën kombëtare të financimit për bujqësinë. Teksa nuk pritej, fermerët nuk do të përfitojnë më naftë pa taksa. Mbushja e traktorit do të jetë e njëjtë në çmim me automjetet, me çmimin që përcaktohet nga Bordi i Transparencës.

“U harxhuan 500 mijë euro për hartimin e asaj skeme dhe e zhbënë. Kishte probleme si skemë, por ishte shumë e nevojshme”, theksoi Eduart Sharka. 

Me naftën 218 lekë për litër dhe imputet bujqësore në vlerë të rritur me 20-25% , fermerët sipas ekspertit nuk kanë asnjë arsye për të punuar tokën.

Vetëm në dy vitet e fundit, më shumë se 100 mijë fermerë kanë përfituar sasi nafte pa taksa. Një nga skemat që nxiti më së shumti edhe regjistrimin e fermerëve me nipt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos