Çmimet e karburanteve në Shqipëri mund të rriten më tej. Kjo, jo nga zhvillimet në Lindjen e Mesme që kanë shtrenjtuar naftën në bursa, por nga vetë qeveria. Në duzinën e taksave që rëndojnë në çdo litër naftë e benzinë do të shtohen edhe dy tarifa të tjera... gjurmimi dhe rezerva kombëtare e sigurisë.
“Aktualisht jemi duke vlerësuar të gjithë procesin dhe jemi në kompaninë shtetërore ALBTrace Co. Në momentin që do të kemi të definuar të gjithë programin e punës, do mund të dimë edhe se cilat do të jenë kostot eventuale. Gjithsesi në çdo rast përfitimet për qytetarët shqiptarë do të jenë më të lara se kostot”, tha ministri Petrit Malaj.

Me Bordin e Transparencës tashmë në fuqi dhe çmimet e karburanteve që po shkojnë drejt niveleve rekord, qeveria nuk ka ndër mend të ndërhyjë në tjetër mënyrë përveç se te akciza. Kjo e fundit do të ulet me 20 për qind vetëm kur nafta të kapërcejë nivelin e 220 lekëve.
“Mekanizmi do jetë i tillë në momentin, në momentin që Bordi i Transparencës do të përcaktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do jetë 221 lekë, automatikisht në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizë 20%, që përkon me përafërsisht 8 lekë, pra do të jetë 213 lekë”, u shpreh ministri Malaj.

Pavarësisht se shtrenjtimi i karburanteve po krijon një reaksion zinxhir edhe te ushqimet duke goditur konsumatorët, qeveria ende nuk ka ndonjë paketë ndihme për qytetarët për momentin.
“Situata është në monitorim të vazhdueshëm nga qeveria. Ne jemi në bashkërendim me të gjitha ministritë e linjës për të parë se si do të jenë zhvillimet në vijim. Malaj siguroi se në rast se do të nevojitet të ketë ndërhyrje nga ana e qeverisë për të prezantuar paketa ndihmëse sidomos për shtresat në nevojë, pa diskutim që do t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme” theksoi ministri Malaj.
Ministri i Financave Petrit Malaj njoftoi se çmimet e reja të referencave do të jenë gati brenda muajit prill për 60 bashkitë e tjera. Për Tiranën mbeten në fuqi ato të vitit 2023. (A2 Televizion)