Bujqit po kthehen në konsumatorë, migrimi nga rrethet po cënon furnizimin me ushqime

Nga Marjo Brakaj
30 Mars 2026, 14:10 | Ekonomi

Nga prodhues në konsumatorë... Migrimi nga rrethet drejt Tiranës po cenon garantimin e furnizimit me produkte ushqimore të shqiptarëve. Çrregullimet demografike, të cilat po rrisin varësinë nga importi, vlerësohen si një nga kërcënimet më të mëdha për Shqipërinë në pesë vitet e ardhshme.

Edison Zaçaj, pedagog në fushën e financë-kontabilitetit, u shpreh
“Imigrimi i brendshëm, veç krizës demografike, po prodhon më pak fermerë e më shumë qytetarë, duke realizuar kështu për fatin e keq ciklin ‘nga prodhues në konsumatorë’. Kjo situatë ka ardhur sa nga politikat neglizhente të qeverisë, aq edhe nga korrupsioni endemik që ka përfshirë vendin”, u shpreh Edison Zaçaj, pedagog në fushën e financë-kontabilitetit.

Vetë qeveria pranon në strategjinë e re të sigurisë se emigracioni, veçanërisht te të rinjtë, nuk po ka të ndalur. Sipas institucioneve që kanë hartuar dokumentin, kjo situatë ka prodhuar “krizë për punonjës” dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

“Largimi i të rinjve nga njëra anë ul konsumin dhe nga ana tjetër e zhyt në krizë prodhimin. ‘Brain drain’ është një fenomen që na ka përfshirë prej vitesh. Tani është koha të ndërtojmë politika”, tha Zaçaj.

Qeveria ka identifikuar të paktën shtatë “pika të dobëta”, përfshirë edhe ndikimin nga vendet jo-miqësore, të cilat mund ta përdorin ekonominë për presion politik. Të dish nga se vuan është një hap më pranë shërimit. Por sa vlen kjo shprehje e zakonshme për fushën e mjekësisë edhe për ekonominë shqiptare?

“Fazën e parandalimit e kemi kaluar. Tani jemi te ndalimi. Disa prej tyre, si emigracioni, mund të frenohen. Korrupsioni duket gati si një sëmundje e pashërueshme”, u shpreh Zaçaj.

Për të parandaluar emigracionin, krizën demografike dhe korrupsionin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucionet e tjera përkatëse, do të duhet që brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të hartojnë një plan për adresimin e këtyre sfidave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos