Shqiptarët janë të dyzuar. Një pjesë janë optimistë, e të tjerë nuk kanë fort besim se gjërat po shkojnë mirë. Rikthimi i optimizmit në disa sektorë bëri që, në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë realizon, treguesi i ndjesisë ekonomike - që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe të konsumatorëve për të shpenzuar - të rritej lehtë, me 1.1 pikë.
Gazetari: “Keni besim se qeveria në mandatin e katërt do të sjellë ditë më të begata për shqiptarët?”
Qytetari: “Të begata, jo! Ky Edi Rama që ka kaq vite në pushtet ka bërë shumë pak për këtë vend.”
Gazetari: “Po ju zonjë, besoni se gjërat do të bëhen më mirë?”
Qytetarja: “Unë e besoj që mund të bëhen më mirë gjërat në këtë mandat. Shpresojmë.”
Shqiptarët janë të dyzuar. Një pjesë janë optimistë, e të tjerë nuk kanë fort besim se gjërat po shkojnë mirë.
Në pyetësorin që Banka e Shqipërisë realizoi për muajin e shkuar, besimi i qytetarëve mbeti i pandryshuar në raport me prillin.
Ata janë të shqetësuar për situatën e tyre financiare, duke u stepur për të kryer blerje me shuma të mëdha.
“Besimi konsumator është treguesi më i rëndësishëm, dhe për momentin nuk jemi në nivelet e dëshiruara. Tregon që gjendja e përgjithshme ekonomike nuk është fort optimiste”, thotë për A2 CNN Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Me pritshmëritë për të pasur edhe më shumë turistë se një vit më parë, bizneset në sektorin e shërbimeve — ku përfshihen baret dhe restorantet, janë më optimiste. Treguesi i besimit në ekonomi për këtë sektor në maj u rrit me 2.3 pikë. Edhe më e fortë rezulton rritja te industria muajin e shkuar, me plot 8 pikë.
“Turizmi, dashur pa dashur, historikisht ka ndikuar te rritja e kërkesës për sektorin e turizmit dhe për mallra në sektorë të tjerë, përfshirë ato industrialë”, thotë për A2 CNN Eriola Hoxha, eksperte për ekonominë.
E kundërta po ndodh me besimin e tregtarëve, ku përfshihen dyqanet e lagjeve apo supermarketet. Besimi në ekonomi i bizneseve në këtë sektor në maj ra me 1.8 pikë.
“Kjo ka lidhje më shumë me pritshmëritë e atyre tregtarëve të cilët prisnin të kishin një volum më të lartë dhe, sidomos, me atë që u pompua në opinion se do të kishim një konsum të shtuar si pasojë e turizmit. Mos të harrojmë gjithashtu se tkurrja e popullsisë në heshtje ndikon te konsumi, pasi ne jemi ndjeshëm konsumatorë më të lartë se të huajt”, thotë Gjokutaj.
Rikthimi i optimizmit në disa sektorë bëri që, në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë realizon, treguesi i ndjesisë ekonomike, që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar, të rritej lehtë, me 1.1 pikë.
(A2 Televizion)