Në vetëm 48 orë nga bombardimet amerikano-izraelite në Iran, çmimet e karburanteve janë rritur me rreth 10 për qind. Nga pak më shumë se 67 dollarë për fuçi më 27 shkurt, një fuçi naftë e papërpunuar po kushton gati 73 dollarë në tregjet e huaja.

Kjo pas kufizimeve të kalimit të anijeve në ngushticën e Hormuzit, nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.
“E gjithë dinamika e tregjeve ndërkombëtare tregon se energjia mbetet një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj tensioneve politike dhe ushtarake. Sa herë që ka pasiguri për transportin apo prodhimin e naftës, investitorët reagojnë menjëherë duke rritur çmimet, si një formë mbrojtjeje ndaj rrezikut të furnizimit”, shprehet për A2 CNN Mateo Spaho, ekspert për çështjet ekonomike.
Bashkë me lëndën djegëse, në tregjet e huaja është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike. Të dhënat nga bursa hungareze “HUPX” tregojnë se nga më pak se 60 euro për megavatorë para ndërhyrjes amerikano-izraelite në Iran, çmimi i energjisë elektrike ka kërcyer në gati 115 euro për megavat-orë.

“Rritja e ndjeshme e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, si në platformën hungareze HUPX, është pasojë e drejtpërdrejtë e tensioneve në rajonet prodhuese të energjisë. Kur tregjet perceptojnë rrezik për furnizimin me energji, çmimet reagojnë menjëherë edhe pse kërkesa nuk ka ndryshuar ndjeshëm, duke treguar se aktualisht faktori politik po dominon mbi atë ekonomik”, shton për A2 CNN Spaho.
Tensionet gjithnjë e në rritje në mbarë globin kanë kthyer vëmendjen e të gjithëve te mbrojtja ushtarake. Britanikët e “BAE Systems”, amerikanët e RTX e “Honeyëell”, gjermanët e “Rheinmetall” apo italianët e “Leonardo” që do të ndihmojnë edhe Shqipërinë në rijetësimin e industrisë ushtarake kanë njohur rritje të konsiderueshme në tregje.

“Vëmendje të veçantë po merr edhe industria e mbrojtjes, pasi shumë shtete po rrisin buxhetet ushtarake për shkak të situatës globale. Kompanitë e mëdha të teknologjisë ushtarake si BAE Systems, Rheinmetall AG dhe Lockheed Martin po shënojnë rritje në tregje, sepse kërkesa për armatim, sisteme mbrojtëse dhe teknologji ushtarake është në rritje”, deklaron Spaho për A2 CNN.
Në Shqipëri çmimi i karburanteve për momentin ka mbetur i pandryshuar. Një litër naftë po tregtohet për mesatarisht 174 lekë, benzina për 175 lekë dhe gazi natyror për 51 lekë. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se çmimet nuk duhet të ndryshojnë pasi situata mbetet dinamike. Në tregjet e huaja çmimet e naftës mund të bien në rast të ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe organizatës së vendeve prodhuese OPEC+. (A2 Televizion)