Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Puglias përmes projekteve të infrastrukturës dhe logjistikës

Nga Aurora Sulçe, Producente Ekzekutive për Biznesin
15 Prill 2025, 15:08 | Ekonomi

Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Puglias

Shqipëria do të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik me rajonin e Puglias në Itali, me fokus te logjistika dhe transporti. Njëzet kompani puljeze të këtij sektori zhvilluan një takim me përfaqësues të institucioneve shqiptare, për t’u informuar më shumë lidhur me investimet e kryera nga qeveria shqiptare në infrastrukturë gjatë viteve të fundit, si edhe për projektet me interes të përbashkët ndërmjet dy vendeve tona.

Takimi u organizua në Dhomën e Tregtisë në Bari, si pjesë e një projekti bashkëpunimi të promovuar nga Unioncamere Puglia dhe Uniontrasporti.

Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Puglias
Luciana Di Bisceglie, Presidente e Dhomës së Tregtisë së Barit

Projekti për infrastrukturën pason marrëveshjet e partneritetit tregtar dhe bashkëpunimit për zhvillim, të nënshkruara së fundmi mes qeverive të Italisë dhe Shqipërisë, dhe synon të informojë kompanitë italiane në lidhje me projektet për forcimin e infrastrukturës që kanë nisur tashmë në Shqipëri. Këto projekte lidhen veçanërisht me ndërtimin e rrugëve dhe autostradave, lëvizjen e mallrave me rrugë detare, transportin hekurudhor, si dhe lidhjen dhe digjitalizimin e infrastrukturës dhe të proceseve.

"Ndërsa Komisioni Evropian punon për ndërlidhjet ndërkufitare të energjisë elektrike, Puglia bën pjesën e saj, duke punuar për të inkurajuar partneritetet me Shqipërinë në infrastrukturë. Ne duam të krijojmë kushtet për të përmirësuar fluksin e mallrave, por edhe për të promovuar më gjerë njohuritë dhe kompetencat e kompanive tona në fushën e transportit dhe ICT," deklaroi Luciana Di Bisceglie, Presidente e Unioncamere Puglia.

Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë ka qenë i lartë që pas viteve ’90. Italia është partneri kryesor tregtar i vendit tonë, me 27.8% të totalit të shkëmbimeve tregtare për vitin 2024. Ndërkohë, fluksi i investimeve italiane në Shqipëri për vitin e kaluar përllogaritet në 1.7 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 16%.

Shkëmbimet ekonomiko-tregtare, në rritje të vazhdueshme ndër vite mes Italisë dhe Shqipërisë, në vitin 2024 kanë tejkaluar 3.3 miliardë euro dhe, së bashku me Lombardinë, është pikërisht Puglia që luan një rol kryesor mes distrikteve ekonomiko-industriale të Italisë, me mbi 500 milionë euro – pothuajse të ndara në mënyrë të barabartë mes importeve dhe eksporteve.

Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Puglias

Me këtë nismë, Unioncamere Puglia dhe Uniontrasporti synojnë të forcojnë këtë prirje, duke ofruar dhe promovuar një shkëmbim të njohurive teknike, me një vëmendje të veçantë ndaj mënyrës së përfshirjes së komuniteteve të biznesit në projektimin e infrastrukturave të reja, dhe ndaj temave të digjitalizimit dhe lidhshmërisë (konektivitetit). Këto të fundit janë strategjike edhe për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që hap marrëveshja e nënshkruar së fundmi mes Italisë, Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për realizimin e ndërlidhjeve energjetike mes dy brigjeve të Adriatikut.

Investitorët italianë dhe ata shqiptarë që janë të interesuar për bashkëpunime të ndërsjella mund të informohen dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi nëpërmjet selisë së Unioncamere Puglia në Tiranë, operative në Shqipëri që nga viti 1999.

Unioncamere Puglia në Shqipëri është shndërruar në një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok ndërmjet biznesit italian dhe atij shqiptar – antena e parë e sistemit kameral italian në Shqipëri dhe një partner i rëndësishëm. Gjatë 25 viteve të aktivitetit të pandërprerë në mbështetje të sipërmarrësve, dega e saj në Tiranë është shndërruar, për shumë ndërmarrje italiane dhe shqiptare, në një pikë referimi që garanton transparencë, besueshmëri, dhe mbrojtje të marrëdhënieve tregtare dhe të partneriteteve industriale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos