Firmoset marrëveshja me UBT, universiteti do të ndihmojë me kërkime shkencore për nevojat e qeverisë

Nga Marjo Brakaj
23 Dhjetor 2024, 15:07 | Ekonomi

“Programi i kohezionit apo fondet strukturore do të jenë të hapura për ne në fund të vitit 2027 apo fillim 2028”. Të fituarat e mëdha do të jenë bashkitë. Për të kuptuar rëndësinë e këtij lajmi, mjafton të themi se fondet që do të vijnë nga përfshirja e Shqipërisë në “Kohezionin Social të Unionit” tejkalojnë edhe buxhetin që qeveria i jep pushtetit vendor. Por, asgjë nuk jepet pa kushte. Ndaj që vendi të jetë gati për të përfituar, qeveria do të ndihmohet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

“Unë mendoj që kjo është një farë, një element i parë, një embrion i një bashkëpunimi që mund të bëhet tejmase i madh nëse secili prej nesh e sheh të plotë potencialin se ku ky bashkëpunim mund të shkojë. Ne sot kemi hapur  1/3 të kapitujve të integrimit europian. Gjatë vitit 2025 do të happen të gjithë kapitujt”, tha Mazniku.

Me marrëveshjen e firmosur me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Universiteti Bujqësor do të ndihmojë qeverinë në fushat e konsulencës dhe ekspertizës për kërkime shkencore për nevoja në fusha të ndryshme, shkruan A2.

“Topi është në fushën tonë. Unë e di shumë mirë që kjo marrëveshje mund t’i ofrohej kujtdo kompanie konsulence private në Shqipëri, që ne si staf jemi ankuar dhe ankohemi nëpër kafenetë tona, që pse ia dha atij apo asaj. Kompanitë e huaja janë të mirëpritura por kompanitë e huaja resurset i kanë marrë te stafi im. Sot qeveria shqiptare, dhe këtë e kam adresim për kolegët e mi, ka zgjedhur të ndryshojë qasje. E vlerësojmë shumë dhe jam shumë I sigurt që në harkun kohor të 4-5 muajve ne do të kemi produktet e para”, u shpreh Fatbardh Sallaku – Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Marrëveshja e firmosur ka një kohëzgjatje një vjeçare me mundësinë për t’u rinovuar në varësi të rezultateve. Një ndër synimet kryesore të saj është të thithë sa më shumë fonde për bashkitë, me qëllim frenimin e largimeve veçanërisht në zonat rurale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos