Kursimi i energjisë dhe reduktimi i gazeve, plani kombëtar për energjinë dhe klimën do të rishikohet nga qeveria

Nga Marjo Brakaj
23 Dhjetor 2024, 14:46 | Ekonomi

Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën do të rishikohet. Qeveria ka vendosur objektiva të rinj për t’u arrirë deri në vitin 2030. Në dokumentin e ri të hedhur për konsultim publik synohet që sasia e energjisë nga burimet e rinovueshme të përbëjë 59.4 për qind të konsumit total të energjisë nga 54.4 që ishte më herët.

“Dimensioni i eficencës së energjisë tregon angazhimin e vendit drejt reduktimit të konsumit të energjisë në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë industrinë, transportin dhe ndërtesat, përmes masave të efiçencës së energjisë, mbështetjes së zhvillimit të teknologjive dhe praktikave të efiçencës së energjisë, kryerjes së auditimeve të energjisë dhe vendosjes së standardeve të larta për performancën e energjisë në pajisje, ndërtesa dhe automjete”, Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës.

Një fokus i rëndësishëm i jepet eficiencës së energjisë, ndërsa qëllimi kryesor është reduktimi i shkarkimeve neto të gazeve serrë, duke synuar që në vitin 2030 të arrihet nën nivelet e vitit 1990.

“Zhvillimi dhe zbatimi i politikave kombëtare të energjisë dhe klimës nuk do të synojë vetëm të reduktojë emetimet e gazeve serrë, por gjithashtu të gjenerojë përfitime të rëndësishme ekonomike në sektorë të ndryshëm. Këto politika nxisin investimet në energjinë e rinovueshme, efiçencën e energjisë dhe praktikat e qëndrueshme, duke krijuar burime të reja të ardhurash dhe duke stimuluar rritjen ekonomike”, Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës, shkruan A2.

Këto politika parashikohet të nxisin investimet në energjinë e rinovueshme, eficiencën e energjisë dhe praktikat e qëndrueshme, duke krijuar burime të reja të ardhurash dhe duke stimuluar rritjen ekonomike.

Investimet e planifikuara në sektorin energjetik pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, duke gjeneruar të ardhura dhe rritjen e fuqisë punëtore në fusha të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos