Më shumë se me dëshirë... në nevojë për t’u larguar, probleme të shumta të mbartura e alternativa të pakta, gati inekzistente. Me këtë miks ndjesish i gjen edhe ky “8 Dhjetor” të rinjtë shqiptarë, që vijojnë qëndrojnë para dyerve të ambasadave për të ikur shpesh edhe pa kthim.
“Rrotullohemi ku të duam dhe shkojmë sërish te të njëjtat arsye. Tek punësimi, niveli i jetesës, pagat më të larta. Të gjitha këto... Është çështje ekonomike domethënë. Nuk është dëshira që largohemi nga vendi. Jemi të detyruar”, thonë disa qytetarë për A2CNN.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në dekadën fundit, numri i të rinjve deri në 29 vjeç është pakësuar me 314 mijë. Nga gati 720 mijë në 2015, në vend tani ka më pak se 41 mijë të rinj e të reja.
“Është shumë jo-koherente dhe shumë shqetësuese. Në ditët e sotme po flitet jashtëzakonisht shumë nga mediat, jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja që të rinjtë çdo ditë e më shumë po lëvizin nga vendi jonë, nga Shqipëria. Është një plagë e thellë”, theksojnë dy vajza.
Edhe sot protestohet. Po aq paqësisht... madje në heshtje. Thuajse për të njëjtat arsye si 35 vite më parë, por në tjetër formë. Të rinjtë po e shprehin zhgënjimin duke braktisur shtëpitë e tyre.
Eldisa Cirogu, socialoge, shprehet: “Është një formë dorëzimi. Efektet po i ndjejmë. Nuk është perceptim. Po hasim një krizë demografike. Do vuajmë ndoshta një krizë sociale. Kjo për shkak se mungojnë politikat”.
Të rinjtë që nuk punojnë, nuk arsimohen dhe nuk trajnohen paraqesin sot një nga sfidat më të mëdha sociale të vendit. Në vitin 2024, mbi 22 për qind e të rinjve 15–29 vjeç nuk ishin as në punë, as në shkollë dhe as në arsim.
E përkthyer në ekonomi kjo do të thotë më pak krahë pune, rrudhje e të ardhurave e më shumë pensionistë e pagesa nga buxheti i shtetit.
Kjo është fotografia e Shqipërisë së 35 viteve demokraci. (A2 Televizion)