Irani nuk është i vetmi “armik digjital", Shqipëria harton strategjinë e re për sigurinë kibernetike

Nga Marjo Brakaj
2 Qershor 2025, 16:57 | Ekonomi

Rënia e “shtetit digjital” tre vite më parë, bashkë me përpjekjet e vijueshme të Iranit për sulme kibernetike kanë kthyer vëmendjen e të gjithëve si kurrë më parë te siguria digjitale. 

“Ai sulm i ndodhur në vitin 2022 është pasur me një numër sulmesh në vite të cilat vijojnë. Por tashmë ka ndryshuar shumë mënyra se si ne përgjigjemi”, shprehet Floreta Faber.

Tashmë Irani nuk është i vetmi “armik digjital”. 

“Irani qëndron si një prej vendeve me sulme kibernetike, duke u nisur nga historia, por ka edhe një numër tjetër vendesh. Ne shikojmë në mënyrë të veçantë mënyrën e sulmeve kibernetike që vijnë nga vende të ndryshme për të kuptuar se ku duhet të ruhemi edhe më shumë”, shton Faber.

Këto përpjekje vijuan edhe gjatë vitit të shkuar. Nga sistemi energjetik te bankat e nivelit të dytë apo kompanitë e sigurimeve.

Hakerat u përpoqën të hynin në sistemet e institucioneve dhe kompanive me anë të programeve keqdashëse. 

Me qëllim parandalimin e prekjes nga sulmet, Autoriteti për Sigurinë Kibernetike ka hartuar dhe hedhur në konsultim Strategjinë e re Kombëtare 2025-2030.

“Kjo strategji e re ka disa fokuse kryesor. Mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme është kryesorja. Ne në strategjinë e mëhershme jemi marrë me mbrojtën e fëmijëve online. Kemi kuptuar veçanërisht gjatë viteve të fundit se ne në fakt duhet të punojmë me edukimin dhe ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë shqiptare. Duhet të punojmë me ngritjen e një kulturës kibernetike e cila ka filluar të funksionojë”, shton zv.drejtorja e AKSK.

Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike parashikon një angazhim të të konsiderueshëm financiar për forcimin e infrastrukturës digjitale të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos