Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë rritur sërish, duke arritur mesatarisht në rreth 179 lekë për litër në pikat e shitjes. Rritja argumentohet me shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, pas tensioneve në Lindjen e Mesme, por ekspertët theksojnë se reagimi i tregut vendas është shumë më i shpejtë se luhatjet reale. Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut për të verifikuar nëse rritja e çmimeve është e justifikuar apo abuzive.
“Këta i rrisin or mik. Këta magazinat e i kanë plotë... nuk i shohin letrat se sa mall ka ardhur. Po sa ngihet atje... oburra te ne. Po shihe dokumentin kur e ke marrë mallin e shkret ti. Si u ngrehka ai çmim. Ne nuk e dimë. Unë nuk i jap dot dum. Si ky lloj sistemi që bëjnë këta, unë nuk e di” , shprehet për A2 CNN një drejtues i mjetit.
Nga 174 lekë mesatarisht, një litër naftë dhe benzinë po shitet për 179 lekë në pikat e karburanteve.
“Po të rritet. Ça të bëj unë. Unë e përdor për transport makinën. Më duhet karburanti”, shprehen për A2 CNN drejtues automjetesh.
Çmimet e karburanteve rriten në Shqipëri, por jo në vendet e tjera... Maqedoninë e Veriut për shembull.
“Te ne është më pak se 1.20. E dimë që këtu në Shqipëri është shtrenjtë pasi vijnë shumë që furnizohen te ne se e kemi më lirë”, thotë një shqiptar i Maqedonisë së Veriut
Shtrenjtimi i karburanteve në vend ndodh me argumentin se lënda djegëse është rritur në bursa. Nga rreth 67 dollarë para operacionit amerikano-izraelit në Iran, aktualisht një fuçi naftë e papërpunuar po kushton pak më shumë se 77 dollarë.

“Këtu shteti duhet të ndërhyjë. Nuk mundet që fill pas disa orëve që çmimi i karburanteve në bursa rritet ti e reflekton menjëherë në Shqipëri”, thekson Selim Blliku, studiues i çështjeve ekonomike.
Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është i përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Duke qenë se lënda blihet në dollarë, ndryshimi i kursit të këmbimit është faktor i rëndësishëm për përcaktimin e çmimit. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, valuta amerikane është zhvlerësuar ndjeshëm.

Po pse nuk ulet çmimi i naftës në vend?
“Të rikujtojmë këtu që çmimet nuk u bënë të larta tani. Çmimet te ne gjithmonë rrinë të larta, veçanërisht për të ardhurat që ne kemi”, thotë Selim Blliku, studiues i çështjeve ekonomike.
Për të frenuar një rritje abuzive të çmimeve Autoriteti i Konkurrencës ka marrë në monitorim tregun e shitjeve me pakicë në vend.
“Sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me masën e ndryshimeve që regjistrohen në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg”, shprehet Autoriteti i Konkurrencës.

Por njoftimi i “konkurrencës” që legjitimon rritjen e karburanteve por jo në nivele të larta është pritur me kritika nga deputeti socialist, Erion Braçe.
“Përse një vit rresht kur çmimet në tregjet ndërkombëtare njohën ulje, dollari kryesisht dhe euro njohën zhvlerësim të dukshëm “Konkurrenca” nuk hetoi tregjet e shumicës dhe pakicës që ngrinë çmimet, pa lëvizur me asnjë qindarkë”, shprehet Erion Braçe, deputet i Partisë Socialiste.
Aktualisht Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i shtatë në Evropë dhe i dhjetë në botë për çmimin më të lartë të naftës.
(A2 Televizion)