Shqiptarët janë të shqetësuar nga rikthimi i krizës së çmimeve. Në pyetësorin përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, besimi konsumator ra me 2.1 për qind. Qytetarë blerës për A2CNN shprehen: “Pupupu! Skandaloze. Çmime shumë të larta. Ku me ta venë këmbën në qafë. Bukë me gjizë ha unë.”
Rritja e çmimeve në këtë periudhë nuk është vetëm një fenomen shqiptar dhe ky është një fakti pakundështueshëm. Por ajo që e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera është fakti se efektet e krizave që vijnë nga jashtë transmetohen në popullatë pa asnjë lloj zbutje.
Zef Preçi, ekspert për ekonominë, thotë: “Askush nuk del t’u shpjegojë shqiptarëve se pse jemi në këto kushte. Kemi shkatërruar prodhimin vendas, bujqësinë dhe blegtorinë.”
Rënie të besimit në ekonomi në mars raportuan edhe bizneset në fushën industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve.
“Kjo pasi sipërmarrjet në këta sektorë i frikësohen rënies së kërkesës për konsum, shoqëruar nga vështirësitë në gjetjen e punonjësve. Nga ana tjetër ka rënie të prodhimit dhe konsumit”, shton Preçi.
Të vetmit që mendojnë se ekonomia po shkon mirë janë bizneset në sektorin e tregtisë. Por edhe kjo gjetje e Bankës Qendrore nuk përputhet tërësisht me atë që tregtarët thonë.
“Ka rënë shumë konsumi. Çmimet janë rritur nga njëra anë dhe nga tjetra edhe shqiptarët janë të varfër”, thonë tregtarët.
Rritja e fortë e besimit te tregtarët me plotë 7.6 pikë përqindje bëri që treguesi i përgjithshëm i ndjesisë ekonomike muajin e shkuar të rritej me 0.6 pikë përqindje. (A2 Televizion)