Legalizimet, lejet e ndërtimit dhe pagat. Mazniku: Qasje e re në katër drejtime, përshpejtohen proceset në bashki

Nga Marjo Brakaj
19 Korrik 2024, 16:12 | Ekonomi

Qasje e re në katër drejtime, duke iu dhënë më shumë fuqi bashkive në territorin e tyre. Është kjo formula e re që do të përdoret prej vjeshtës, për t’i dhënë një tjetër hov procesit të legalizimeve të ndërtimeve në vend.

“Së pari i japim të drejtë bashkive që të vendosin përparësitë. Që do të thotë; tanimë edhe ritmi i punës, por edhe rendi i punës se ku do të fillojë dhe ku do të punojë ASHK-ja, zyra e legalizimit të ASHK-së në atë qytet do të caktohet nga bashkia. Pra, bashkia do të vendojë; kemi prioritet këtë lagje, këtë zonë, kemi prioritet këtë listë, kemi prioritet këtë grupim njerëzish që janë në ndihmë ekonomike apo kanë këtë problem tjetër... pra bashkitë do të kenë të drejtën të caktojnë prioritet në atë territor”, tha ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.

Me qëllim përshpejtimin dhe përmbylljen e procesit për pak më shumës e 237 mijë dosjet e hapura edhe para vitit 2028 siç ligji përcakton, në bashki do të ngrihen zyra të posaçme me punonjës të specializuar që do të ndihmojnë qytetarët. Gjithashtu synohet ngritja e një mekanizmi transparence dhe llogaridhënie mes palëve. 

“Prej tyre janë 120 mijë që janë banesa; janë 12 mijë e 156 që janë të kombinuara dhe 33 mijë që janë socio-ekonomike. Synimi unë është që ne të fokusohemi në mënyrë specifike te ato që janë miksi mes ndërtesave në banim, vetëm banim dhe ato që janë të përziera; banim bashkë me një aktivitet ekonomik.”

Paralelisht me përshpejtimin e legalizimeve, në zonat rurale do të lehtësohen procedurat e marrjes së leve të ndërtimit. 

“Hapi i parë ka të bëjë me një proces që ishte në mënyrë sistematike një problem i banorëve që donin të bënin riparime të mureve rrethuese, mureve mbajtëse, çative pa shfrytëzim... të cilat kërkonin atë që njihej si një leje ndërtimi sipas “Nenit 7”. Ishte tashmë një leje e thjeshtuar ndërtimi, por tani do të jetë edhe më e thjeshtuar.”

Lehtësimet ligjore përfshijnë edhe objektet për qëllime bujqësore apo blegtorale dhe shtesat,. Gjithashtu për të ndihmuar qytetarët, bashkitë do të ofrojnë projekte të gatshme dhe falas për shtëpi të përmasave të ndryshme. Ndërkohë veç atyre që jetojnë në zonat ruale, do të përfitojnë  edhe ata që punojnë në institucionet e pushtetit vendor, duke pasur paga më të larta dhe gati të njëjta me kolegët e tyre në bashkitë e mëdha.

“Nivelet e pagave janë tashmë të dakordësuara me minimumet dhe maksimumet e reja. Synimi i përgjithshëm është  që kur një person është arkitekti, ai duhet të jetë në nivel të ngjashëm pagese pavarësisht ku punon. Ne duhet të sigurohemi që zyrat e bashkive të vogla të jenë më të vogla, por jo që ai person të ketë një pagë më të ulët.”

Me qëllim që bashkitë të arrijnë të përballojnë rritjen e pagave, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbi Mazniku vlerëson se një pjesë e kostove mund të mbulohen nga qeveria.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos