Nga vërtetimi i punësimit te dëshmia për kryerjen e shërbimit ushtarak, bashkë me certifikatën familjare, kartën e identitetit, atë të shëndetit, dokumentacionin bankar apo kojen e kodit fiskal...
Janë këto disa nga dokumentet kryesore që qytetarët shqiptarë dhe ata italianë duhet të paraqesin për të përfituar nga njohja e ndërsjellë të pensioneve. “Shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali dhe ata italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri mund të paraqiten në Institutin e Sigurimeve Shoqërore ose Istituto Nazionale della Previdenza Sociale (INPS) për të kërkuar njohjen e pensioneve. në rastin e Shqipërisë, aplikimi kryhet drejtpërdrejt në portalin qeveritar E-Albania”, thotë për A2 CNN Olta Mnjani, zëvendësministre e MEKI.
Ndërsa ky është formulari i quajtur “Formular aplikimi për pension të huaj” i cili shkarkohet nga faqja zyrtare e Institutit e Sigurimeve Shoqërore. Dokumentet që i bashkëlidhen kërkesës për përfitim nuk kanë nevojë të përkthehen, noterizohen apo të firmosen nga zyrat konsullore. Ato do të merren si të mirëqena nga zyra pritëse dhe më pas verifikohen nga zyra ndërlidhëse e palës tjetër.
“Pensionet, sipas legjislacionit të të dy vendeve, jepen vetëm me kërkesë. Për këtë arsye, data e dorëzimit të kërkesës është thelbësore për fillimin e procedurës së përfitimit dhe të drejtën e pagesës. Në zbatim të marrëveshjes dypalëshe, një kërkesë e paraqitur për pension në Shqipëri, vlen njëkohësisht edhe si kërkesë për pension në Itali, dhe anasjelltas nëse e drejta për pension ka lindur njëkohësisht në të dy vendet”, thotë Manjani.
Procesi i shqyrtimit të kërkesës për përfitim në Shqipëri, zgjat deri në dy muaj nga data e mbërritjes së kërkesës përmes shkëmbimit ndërinstitucional. “Personi paraqet kërkesën për pension në INPS, në përputhje me procedurat administrative të institucionit kompetent italian. Për informacion të detajuar mbi procedurën e aplikimit në Itali, qytetarët mund t’i referohen faqes zyrtare të INPS-it ose strukturave të patronateve apo ndërmjetësve të autorizuar, për të siguruar informimin e duhur dhe shmangien e humbjes së të drejtave për përfitim”, shpjegon Manjani.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar udhëzuesin i cili përcakton rregullat e qarta të zbatimit përmes së cilit do t’i vihet në ndihmë qytetarëve, të cilët kanë punuar dhe kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, të përfitojnë nga të drejtat e tyre. Udhëzuesi, përmban procedurat e aplikimit, kriteret dhe dokumentacionin sipas të cilave lindin edhe përfitimet konkrete sipas marrëveshjes në fuqi. (A2 Televizion)