Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku prezantoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”. Ai synon përmirësimin e menaxhimit të hapësirave të përbashkëta dhe për të rritur cilësinë e jetës në komunitet urbane.
Mazniku tha para anëtarëve të komisionit se 40% e totalit të banesave, ose më saktësisht mbi 43 mijë të tilla, janë me shumë katë, pra ka një situatë bashkëpronësie. Sipas ministrit, ligji i ri vendos për mënyrën sesi funksionon bashkëjetesa e njerëzve pothuajse në këto ndërtesa.
“Një seri probleme të përditshmërisë, bashkëjetesës, së komunikimit, lidheshin me mënyrën sa administrohet bashkëpronësia. Ligji krijon detyrimin që për çdo objekt të dalë një certifikatë e përbashkët bashkëpronësie. Të gjithë elementët që janë pjesë e bashkëpronësisë shënohen një certifikatë pronësie specifike”, tha Mazniku.
Nisma e re i vendos detyra çdo bashkie që të krijojë një libër bashkëpronësie. Aty do të shënohet lloji i ndërtesës, viti ku është ndërtuar, organet e administrimit që ka dhe tipologjia e ndërtesës.
“Çdo bashki duhet të mbajë një regjistër të të gjithë objekteve”, tha Mazniku, shkruan A2 CNN.
Me ligjin e ri do të krijohet një strukturë përgjegjëse për zgjidhjen e shpejtë dhe efektive të mosmarrëveshjeve për vlera deri në 800 mijë lekë.
“Krijohet një komision në çdo bashki që funksion si entitet administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve deri në këtë vlerë, njerëzit mund ta vijojnë mosmarrëveshjen në gjykatë nëse nuk bien dakord”, u shpreh Mazniku.
Sipas ministrit Mazniku ligji është bazuar mbi modelin italian, francez, gjerman, por edhe nga vende si Kroacia dhe Sllovenia. (A2 Televizion)