Dikur, tre paguanin që një të merrte pension. Sot, ky raport po barazohet. Vjet pati 721 mijë e 398 pensionistë dhe 843 mijë 867 të punësuar që paguan sigurimet shoqërore. Pra për çdo përfitues pati 1.17 kontribuues.
"Ky trend është shqetësues. Sa më pak kontribuues të ketë për çdo përfitues, aq më shumë shteti do të duhet të subvencionojë skemën nga buxheti", shprehet eksperti Kujtim Hoxha.
Me pak më shumë se 167 miliardë lekë të ardhura dhe 181 miliardë shpenzime, shtet u desh të jepte mbi 13 miliardë lekë për të mbuluar deficitin në skemën e pensioneve.
“Çfarë ka ndodhur? Nga 1.4 milionë në vitin 1990, numri i kontribuuesve ka rënë në rreth 700 mijë. Numri i kontribuuesve ka rënë me rreth 47 për qind, ndërsa numri i pensionistëve është rritur ndjeshëm”, shton Hoxha.
Nga më pak se 705 mijë në 2023-shin, numri i atyre pensionistëve vjet arriti në mbi 721 mijë krahasuar me vitin 2020, numri i pensionistëve është rritur me gati 65 mijë.
“Ka një raport të shtuar mes numrit të popullsisë rezidente dhe përfituesve të skemës së sigurimeve shoqërore e përkthyer në pensione pleqërie, invaliditeti dhe pensione familjare”, deklaroi eksperti.
Në heshtje, Shqipëria po hyn në një epokë të re, ku barra e pensioneve nuk ndahet më, por po transferohet. Ndërsa brezi i ri largohet, dhe ai i vjetër shtohet, skema e pensioneve nuk po plaket vetëm në moshë... por edhe në mundësi. (A2 Televizion)