Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku prezantoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”. Ai synon përmirësimin e menaxhimit të hapësirave të përbashkëta dhe për të rritur cilësinë e jetës në komunitet urbane.
Mazniku tha para anëtarëve të komisionit se 40% e totalit të banesave, ose më saktësisht mbi 43 mijë të tilla, janë me shumë katë, pra ka një situatë bashkëpronësie. Sipas ministrit, ligji i ri vendos për mënyrën sesi funksionon bashkëjetesa e njerëzve pothuajse në këto ndërtesa, shkruan A2 CNN.
“Një seri probleme të përditshmërisë, bashkëjetesës, së komunikimit, lidheshin me mënyrën sa administrohet bashkëpronësia. Ligji krijon detyrimin që për çdo objekt të dalë një certifikatë e përbashkët bashkëpronësie. Të gjithë elementët që janë pjesë e bashkëpronësisë shënohen një certifikatë pronësie specifike”, tha Mazniku.
Nisma e re i vendos detyra çdo bashkie që të krijojë një libër bashkëpronësie. Aty do të shënohet lloji i ndërtesës, viti ku është ndërtuar, organet e administrimit që ka dhe tipologjia e ndërtesës.
“Çdo bashki duhet të mbajë një regjistër të të gjithë objekteve”, tha Mazniku.
Me ligjin e ri do të krijohet një strukturë përgjegjëse për zgjidhjen e shpejtë dhe efektive të mosmarrëveshjeve për vlera deri në 800 mijë lekë.
“Krijohet një komision në çdo bashki që funksion si entitet administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve deri në këtë vlerë, njerëzit mund ta vijojnë mosmarrëveshjen në gjykatë nëse nuk bien dakord”, u shpreh Mazniku.
Sipas ministrit Mazniku ligji është bazuar mbi modelin italian, francez, gjerman, por edhe nga vende si Kroacia dhe Sllovenia. (A2 Televizion)