Mesatarisht 459 euro për çdo pushues, turistët që erdhën vjet në Shqipëri shpenzuan mbi 5.7 mld euro

Nga Marjo Brakaj
6 Prill 2026, 15:32 | Ekonomi

Mbi 5.7 miliardë euro. Kaq para shpenzuan turistët e huaj që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në krahasim me 2024-n, shpenzimet e pushuesve të huaj u zgjeruan me 731 milionë euro ose 14.6 për qind.

 “Të gjithë jemi dëshmitarë të flukseve të turistëve të huaj që po hyjnë në Shqipëri”, tha Blerina Ago, eksperte e turizmit.

Vitin e shkuar vendin e vizituan 12.4 milionë pushues të huaj. Mesatarisht, çdo turist rezulton të ketë shpenzuar rreth 459 euro, përfshirë këtu udhëtimin dhe akomodimin, duke përsëritur kështu paradoksin e “bumit të pushuesve të lirë”.

 “Shqipëria nuk duhet të orientohet te shifrat. Raporti që ne duam është ai i shpenzimeve. Ne na duhen turistë që shpenzojnë. Ka shumë studime që tregojnë se ka kategori turistësh që shpenzojnë deri në 58 për qind të të ardhurave të tyre për pushime. Këta na duhen ne”, tha Blerina.

Fabulën joshëse “pushime me pak shpenzime në Shqipëri” e pranon edhe polaku Janika e cili ka ardhur për pushime në Tiranë, shkruan A2CNN.

“Ardhja në Shqipëri më shumë është kuriozitet. Gjetëm bileta të lira dhe menduam të vijmë. Gjithashtu edhe çmimet e shtëpive me qira janë të lira. Rreth 40 euro dita është mjaftueshëm. Edhe ushqimet nuk janë shumë të shtrenjta. Nuk shkojmë në restorante, pasi aty kushton shumë”, u shpreh Janika, një turiste polake.

Në linjë të ngjashme me shpenzimet e turistëve të huaj kanë shkuar edhe ato të pushuesve shqiptarë që preferuan t’i kalonin jashtë ditët e lejes nga puna. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se vitin e shkuar, shqiptarët kanë shpenzuar pak më shumë se 3 miliardë euro për pushime jashtë vendit. Në raport me 2024-n, shifra u rrit me 338 milionë euro.

“Shqiptarët janë pushues të dëshiruar pasi janë nga ata që shpenzojnë. Nuk kursehen si disa turistë që vijnë në Shqipëri”, tha Rrahman Kasa, kreu i unionit turistik shqiptar.

Megjithatë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se mesatarisht, një shqiptar që shkon jashtë për pushime shpenzon 354 euro. Kjo shifër është rreth 105 euro më pak nga sa ajo që turistët e huaj mesatarisht shpenzojnë kur vijnë në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos