Në një botë që lëviz nën peshën e tarifave, tensioneve gjeopolitike dhe eksodit të trurit, Shqipëria kërkon rrugën e saj drejt Europës. Dhe ndërkohë që Brukseli mban gjysmë të hapur derën, pyetja qëndron: A jemi gati për të hyrë?
Michael Koch, drejtues në Agjencinë Kombëtare të Tregtisë të Suedisë, tha për A2CNN: “Sa i përket objektivit për mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027, kjo është një sfidë ambicioze, por e arritshme nëse ka një koordinim të mirë ndërinstitucional, transparencë dhe angazhim të vazhdueshëm politik. Është thelbësore që të gjitha palët të punojnë në mënyrë të koordinuar dhe me përgjegjësi për të mos humbur ritmin”.
Sfida më e madhe e Shqipërisë nuk është vetëm hapja e kapitujve në Bruksel, por ruajtja e kapitullit më të çmuar këtu në vend, të rinjtë: “Emigracioni i të rinjve është një plagë e thellë për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj. Nëse Shqipëria nuk krijon mundësi reale për punë dhe jetë dinjitoze, ajo do të humbasë brezin më të talentuar dhe energjik të saj. Kjo nuk është vetëm një sfidë ekonomike, por një sfidë ekzistenciale. Është e domosdoshme të investojmë urgjentisht në arsim, trajnime dhe një klimë biznesi që inkurajon sipërmarrjen dhe inovacionin”.
E teksa vendi sheh nga Evropa, bota përreth nuk është më e qetë. Një luftë tarifash nga njëra anë, një konflikt energjetik nga tjetra. Por, edhe këtu fshihet një dritare shprese: “Lufta e tarifave midis SHBA-së dhe Rusisë, si dhe tensionet e konfliktit Izrael-Iran, krijojnë një ambient sfidues për tregjet globale dhe për zinxhirët e furnizimit. Këto zhvillime rrisin pasigurinë dhe mund të shkaktojnë çrregullime në tregti dhe në çmimet e energjisë, gjë që mund të ndikojë edhe në ekonominë shqiptare, sidomos për sektorët që varen nga importet apo eksporte. Nga ana tjetër, këto sfida mund të krijojnë edhe mundësi për Shqipërinë, nëse vendi është i përgatitur dhe fleksibël”.
Integrimi në BE kërkon më shumë se vullnet politik kërkon reforma të thella dhe veprim konkret. Shqipëria përballet me sfida reale si emigracioni dhe konkurrenca në treg. Mbështetja nga partnerë si Suedia është aty. Tani është radha e institucioneve shqiptare të ecin me ritëm dhe seriozitet. (A2 Televizion)