Ku është pagesa më e drejtë? Taksë qarkullimi te karburantet apo rritje tarifës së makinës?

Nga Mario Brakaj
16 Nëntor 2026, 14:26 | Ekonomi

Jep me një dorë, merr me tjetër dhe të dyja janë të qeverisë. Nga 1 janari 2027 taksa e qarkullimit nuk do të paguhet më te litri i naftës apo benzinës, por te automjeti. Politika e re prish parimin gati 20-vjeçar se “kush ndot e përdor më shumë rrugët, paguan më tepër”. 

Artur Sulçe, ekspert për sigurinë rrugore, tha për A2CNN: “Për mua kjo nismë nuk ofron më shumë barazi fiskale. Taksa e qarkullimit ishte më e drejtë të mbetej te nafta. Çdokush paguan për karburantin që konsumon dhe jo për makinën që ka. Me formulën e re, barra e taksave për çdo mjet nga viti i ardhshëm dyfishohet”.

Në formulën e re, ajo që ka ndryshuar është dyfishimi i taksës fikse për naftën dhe benzinën. Për rrjedhojë edhe taksa vjetore rritet dyfish. Nga 11 mijë lekë aktualisht, automjeti me cilindratë mijë kubikë i prodhuar një vitin 2018, do të paguajë 22 mijë lekë taksë vjetore: “Ka një qëllim formula e propozuar, të dekurajojë përdorimin e makinave të vjetra. Do të jemi të detyruar që zbatojmë këto standarde, që të dekurajojmë mjetet e vjetra në treg pasi ato ndotin më shumë mjedisin. Në vendet e BE është arritur dakordësi që vetëm për efekt ndotjeje, do të dalin nga qarkullimi mjetet e certifikuara si Euro 3 dhe Euro 4”.

Paralelisht me dyfishimin e takës vjetore, qeveria ka vendosur një taksë fikse 15 mijë lekë për mjetet elektrike, por edhe një rritje të taksës për mjete të luksit, nga 21 në 40 mijë lekë në vit.

“Deri më sot, makinat elektrike promovoheshin si të përjashtuara nga detyrimet, por me formulën e re ato do të përballen me një taksë fikse vjetore prej 15,000 lekësh (dhe 1,000 lekë për motomjetet elektrike)”, u shpreh Sulçe.

Aktualisht, taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, si për naftën, ashtu edhe për benzinën. Duke përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar prej 20%, kjo taksë përfaqëson 32.4 lekë për litër në çmimin përfundimtar të karburanteve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos