Qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës për karburantet. Kjo pas rritjes me 15 lekë të çmimit të naftës, e cila po tregtohet për mesatarisht 214 lekë për litër aktualisht.
“Gjatë një analize të situatës së fundit në treg, si dhe ndikimit të zhvillimeve të konfliktit në Lindjen e Mesme, Këshilli i Ministrave do të ndërmarrë masa konkrete për stabilizimin e çmimeve. Në këtë kuadër, qeveria do të ngrejë Bordin e Transparencës, një mekanizëm që do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me synim kontrollin dhe monitorimin e çmimeve të karburanteve në vend.”, sqaron MIA.
Këshilli i Ministrave pritet të përcaktojë edhe marzhet e fitimit të kompanive në sektorin e hidrokarbureve: 3 lekë për litër për importuesit e naftës dhe 12 lekë për litër për pikat e karburanteve.
“Është vendosur ndërhyrja në nivelin e akcizës, e cila do të reduktohet në 20%, si një masë që synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe reflektimin e drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Efekti në çmimin e karburanteve gjithsesi do të jetë minimal. Me akcizën në vlerën 37 lekë për litër, reduktimi me 20 për qind përkthehet në vetëm 7.4 lekë më pak.”, sqaron MIA.
“Bordi i Transparencës do të mblidhet në mënyrë të vazhdueshme, sa herë që do të evidentohen luhatje të ndjeshme në çmimet e bursave ndërkombëtare, duke përcaktuar çmimet tavan mbi të cilat nuk do të lejohet tregtimi. Çdo shkelje e këtyre çmimeve nga ana e tregtarëve do të konsiderohet shkelje e rëndë administrative, e cila mund të çojë deri në pezullimin e licencës së aktivitetit.”, sqaron MIA.
Pas rritjes së çmimit të karburanteve, qeveria fillimisht ngriti Task-Forcën për kontrollin e tregut të hidrokarbureve, me qëllim shmangien e abuzimit me çmimet, nismë e cila nuk prodhoi rezultate. (A2 Televizion)