Nuk do të marrin më pak lekë, formulë e re për ndarjen e fondeve për bashkitë që nga viti i ardhshëm

Nga Marjo Brakaj
1 Gusht 2024, 17:26 | Ekonomi

Nuk do të marrin më pak lekë, formulë e re për ndarjen

Nga viti i ardhshëm, buxheti për bashkitë do të shpërndahet me një formulë të re, ku do të merren në konsideratë të dhënat e reja të popullsisë. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku konfirmoi se megjithëse në 11 qarqe popullsia rezultoi në rënie, bashkitë gjithsesi nuk do të marrin më pak para’.

“Jemi në fazën që fillojnë përgatitjet për buxhetin e vitit të ardhshëm. Tashmë ne duhet, politik-bërësit, ekspertët, qoftë të qeverisë e qoftë të bashkive duhet ta orientojnë buxhetin e tyre bazuar në këto shifra ku treguesi kryesor është popullsia me 80 për qind të peshës”, thotë Agron Haxhimali, ekspert i financave vendore.

Me gjithë formulës e re, transferta e pakushtëzuar që qeveria i jep 61 njësive të pushtetit vendor nuk mund të jetë më pak se 1 për qind  e produktit të brendshëm bruto dhe jo më pak se transferta e vitit paraardhës. .

“Me gjithë rrudhjen e popullsie, kapitali njerëzor ka nevojë për të njëjtat shërbime. Ndaj është e rëndësishme që kjo praktikë mos të prishet. Përkundrazi, bashkitë kanë nevojë edhe për më tepër para”, thotë Haxhimali.

Në formulën e re të ndarjes së buxhetit që qeveria po diskuton, pritet të përfshihet edhe dhënia e granteve në bazë të performancës së bashkisë. Njësitë e pushtetit vendor do të marrin buxhet në varësi të ecurisë që do të kenë. “Kjo është një mase e nevojshme pasi performanca e bashkive lë për të dëshiruar. Vetëm 1/3 e taksës së pronës mblidhet sot nga bashkitë”, thotë Haxhimali.

Për këtë vit transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave. Për vitin 2025, fondi pritet të kalojë shifrën e 40 miliardë lekëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos